Intervistë | Martin Klatt nga Qendra Evropiane për Çështjet e Minoriteteve: Asociacionet nuk formojnë rajone autonome – Aneksimi i veriut nga Serbia perceptohet si kërcënim real

Martin Klatt

Armat Matoshi
17.03.2023 7:35
Loading Icons...

Martin Klatt, drejtor i grupit për studimin e minoritetit danezo-gjerman në Qendrën Evropiane për Çështjet e Minoriteteve (ECMI), njëherit koordinator i projektit “Kufijtë në formësimin e perceptimeve të shoqërive evropiane”, në një intervistë për Albanian Post, flet për llojet e ndryshme të autonomive, vetë-qeverisjeve e zonave vetë-menaxhuese në shtetet e Evropës të cilat janë duke u shqyrtuar për të gjetur organizimin e përshtatshëm për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ekzistojnë pajisje të ndryshme me anë të cilave grupet mund të arrijnë autonomi të pjesshme, territoriale ose jo-territoriale brenda një shteti ekzistues. Në një rast të veçantë kjo do të varet edhe nga karakteri i grupit të përfshirë dhe marrëdhëniet e tij me komunitetin shumicë. Profesor Klatt thotë se së pari rajonet autonome kanë nevojë për një madhësi të caktuar territoriale për qëndrueshmëri ekonomike dhe të funksionojnë më vete, gjë që nuk e arrinë dot Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

Prandaj, nënvizon profesor Klatt, asociacionet e komunave nuk formojnë domosdoshmërisht rajone autonome brenda një hapësire territoriale të një shteti ekzistues. Pikërisht për shkak të konteksteve të ndryshme, specifikave dalluese dhe rrethanave të tjera të autonomive në kontinentin evropian, do të bëhet një kombinim modelesh, varësisht se si pajtohen palët për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Një shembull aktual do të ishin institucionet qeveritare të krijuara në vendin bask apo në ishujt Aland, të cilave sipas kushtetutës spanjolle dhe finlandeze u jepet përgjegjësi për shumë çështje, përfshirë politikën mjedisore, mirëqenien sociale dhe çështjet kulturore. Megjithatë, sipas profesorit Klatt, një zgjidhje sikurse kjo për minoritetin serb do të përbënte një kërcënim të natyrshëm për integritetin territoral të Kosovës.

Për këtë arsye, ai sugjeron që një këshill ose asamble e zgjedhur, i cili mund të negociojë me qeverinë përkatëse mbi përdorimin e burimeve në territorin tradicional, siç tregon shembulli i popullit danez në Gjermani ose populli Sami në vendet nordike, dhe të ushtrojë njëfarë kontrolli mbi arsimin dhe çështjet kulturore, mund të jetë një zgjidhje më efektive për serbët e Kosovës, vlerëson profesori Klatt për AP.

Derisa në Evropën e rajoneve, sipas propozimit të Këshillit të Evropës, autonomitë nuk paraqesin kurrfarë problemi për funksionimin e shteteve përkatëse, në Ballkanin Perëndimor autonomitë zakonisht kuptohen si para-shtete që presin momentin për t’u proklamuar si të pavarura. Në këtë kontekst, profesor Klatt rrezikun s’e sheh nga vetë njësia autonome, por nga mundësia e aneksimit të këtij entiteti nga Serbia.

Profesor Klatt në këtë intervistë ka shtjelluar edhe termin “[…] nivel i duhur/përshtatshëm i vetë-menaxhimit” për komunitetin serb në Kosovë në pikën 7 të Propozim-Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që pritet të jetë temë e diskutimit në takimin e nivelit të lartë në Ohër mes kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë.

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, vlerësohet të jetë një mekanizëm i dytë i madh për serbët e Kosovës – pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e komunitetit serb, është një lloj vetoje – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm kushtetues, ndërsa kosovarët kanë frikë jo për atë që sot paraqet legalisht ky instrument, mirëpo për faktin se cfarë ai mund të paraqesë në të ardhmen, gjatë implementimit praktik.

Intervista e plotë e Albanian Post me Profesor Martin Klatt nga Qendra Evropiane për Çështjet e Minoriteteve:

Albanian Post: A mund të krijohet Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë ngjashëm me modelet e autonomive të rajoneve evropiane dhe në të njëjtën kohë të ruaj karakterin multietnik dhe unitar të shtetit?

Martin Klatt: Rajonet autonome kanë nevojë për një madhësi të caktuar për qëndrueshmëri ekonomike dhe të funksionojnë më vete. Dyshoj që kjo është çështja këtu. Efekti i një zgjidhjeje të autonomisë territoriale si me baskët apo ishujt Åland do të ishte një kërcënim i natyrshëm i bashkimit të mëvonshëm me Serbinë – i cili do të shprehet nga aktorët kur të kuptojnë se komunat e pakta kontingjente me shumicë serbe (si do të matet kjo në fakt?) nuk janë ekonomikisht të qëndrueshme. Sipas mendimit tim, një model i autonomisë jo-territoriale si me minoritetin Sami apo atë danez në Gjermani do të përshtatej më mirë për një zgjidhje afatgjatë: masa që sigurojnë autonomi brenda çështjeve kulturore (garantimi i përdorimit të gjuhës serbe në publik, në komunikim me autoritetet, dhe në shkollë, institucionet kulturore, një kufi i hapur me Serbinë për të siguruar kontakte personale), e kombinuar me pjesëmarrjen politike gjithëpërfshirëse në organet shtetërore (parlament, qeveri, por edhe polici dhe shërbim civil).

Albanian Post: Serbët tashmë kanë autonomi të plotë në arsim, shëndetësi dhe planifikim hapësinor. Ata kanë 10 vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës dhe përfaqësohen edhe në qeveri. Mund të çojë një mekanizëm i tillë në autonomi territoriale/politike që mund të përdoret për shkëputje?

Martin Klatt: Në këtë rast, do të argumentoja, nuk është aq shumë secesioni/shkëputja, por aneksimi/bashkimi me Serbinë ai që është kërcënimi i perceptueshëm. Kjo do të dëmtonte rëndë parimin e integritetit territorial të çdo shteti siç parashikohet në Kartën e OKB-së, si kusht kryesor për paqen botërore. Sigurisht, mund të argumentohet se ka arsye për të negociuar një ndryshim kufiri, por kjo do të hapte kutinë e Pandorës në shumë rajone kufitare në Evropë, por veçanërisht në Afrikë dhe Azinë Qendrore. Për më tepër, përvojat me plebishitet për përcaktimin dhe përvijimin e kufijve ndërkombëtarë nuk janë bindëse dhe nuk prodhojnë kufij të pakontestueshëm. Në rastin danezo-gjerman, u deshën dy breza për të pranuar kufirin e rivizatuar në vitin 1920 – i cili, megjithëse ndoshta i përshtatshëm për homogjenitetin kombëtar, pati pasoja katastrofike ekonomike.

Albanian Post: Ju jeni njohës i rajoneve autonome të Evropës. A kanë të drejtë autonomitë në Evropë të nxjerrin ligje dhe të kenë organe vendimmarrëse? Ekzistojnë asociacione të komunave me shumicë etnike në Evropë? Si funksionojnë ato?

Martin Klatt: Siç e thashë më lart, këto rajone autonome janë më shumë se një asociacion komunash. Ato kanë të drejta legjislative. Me sa di unë, nuk kanë të gjitha organe që nxjerrin ligje, por, në rastin e Tirolit të Jugut, kanë një sistem kuotash që siguron përfaqësimin e duhur të tre komuniteteve përbërëse në shërbimin publik, përfshirë policinë. Asociacionet e komunave nuk formojnë rajone autonome. Megjithatë, ato mund të zhvillojnë praktika të ndryshme administrative brenda përgjegjësive komunale, zakonisht dispozitat e shkollave, shërbimeve komunale, transportit publik, planifikimit hapësinor. Megjithatë, ato nuk mund të devijojnë nga ligji kombëtar.

Albanian Post: Si mund të organizohet autonomia për grupet – veçanërisht pakicat kombëtare – brenda shteteve multietnike siç është Kosova pa u detyruar të ndryshojë Kushtetutën dhe pa e cenuar integritetin e saj territorial?

Martin Klatt: Pakicat kombëtare mund të fokusohen në organizatat kulturore që punojnë për të siguruar të drejtën e pakicave për të përdorur gjuhën e tyre, të kenë shkolla në gjuhën e tyre dhe të zhvillojnë kulturën e tyre, duke përfshirë lidhjet me shtetin farefisnor. Është gjithashtu e rëndësishme që të ekzistojnë mekanizma të pjesëmarrjes politike, qoftë duke formuar parti të pakicave, qoftë duke organizuar grupe të interesit të pakicave brenda partive politike kryesore.

Albanian Post: Çfarë do të thotë realisht termi “[…] nivel i duhur/përshtatshëm i vetë-menaxhimit” në Propozim-Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – autonomi sociale/kulturore apo autonomi territoriale/politike?

Martin Klatt: “I duhur/përshtatshëm” është një term që i mungon kuptimi ose thelbi dhe varet nga interpretimi politik. Mund të variojë nga autonomia kulturore në autonomi territoriale, por nuk nënkupton të drejtën për këtë të fundit.

Albanian Post: Cili model evropian mund të gjendet që siguron këtë nivel të “vetëmenaxhimit” pa krijuar ndarje përgjatë vijave etnike apo për të kaluar në një nivel më të lartë të autonomisë duke krijuar një nivel të tretë pushteti?

Martin Klatt: Autonomia Sami, autonomia kulturore e pakicave në Danimarkë, Gjermani, Suedi, Norvegji, Finlandë, Estoni, Letoni, Poloni, Hungari, Sllovaki, Rumani, Ukrainë (me kufizime), por edhe në Kroaci, Serbi, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Shqipëri.

Albanian Post: Në Ballkanin Perëndimor autonomitë zakonisht kuptohen si parashtete që presin momentin për t’u proklamuar si të pavarura. E ka Qeveria e Kosovës mundësinë të krijojë një mekanizëm mbrojtës për t’u mbrojtur nga devijimi i qëllimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe?

Martin Klatt: Po, pasi në të drejtën ndërkombëtare [Asociacioni i Komunave me shumicë serbe] nuk ka të drejtë për shkëputje.

Albanian Post: Si duhet parë realisht Asociacioni i Komunave me shumicë serbe – si instrument në duart e Serbisë apo si zgjidhje kushtetuese për integrimin e serbëve të Kosovës në shtetin e ri?

Martin Klatt: Si këtë të fundit, sigurisht. Minoritetet nuk duhet të manipulohen kurrë nga agresiviteti i politikës së jashtme të një vendi tjetër. Shihni pushtimin rus në Ukrainë dhe, natyrisht, manipulimin e [Adolf] Hitlerit me gjermanët sudetë për të shkatërruar Çekosllovakinë në 1938-39.

Albanian Post: Kosova në fakt është treguar mjaft bujare sa i përket të drejtave të pakicave duke dhënë maksimumin që një shtet mund të japë. Cilat janë praktikat tjera që Kosova mund të adoptojë në rrugën e saj drejt mbrojtjes së minoriteteve?

Martin Klatt: Nuk i njoh në detaje politikat e Kosovës për të drejtat e pakicave, por besoj se qeveria e Kosovës ka vonuar themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Më mirë nuk do t’i përgjigjem kësaj pyetjeje.

Albanian Post: Si mishërim i vlerave moderne të Bashkimit Evropian, mund të ndryshohet emri i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, p.sh. të emërohet Asociacioni i Komunave Evropiane ose Komuniteti i Komunave Evropiane?

Martin Klatt: Nuk mendoj se [ndryshimi i emrit] ka kuptim, do të ishte një frazë boshe. Ndoshta Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë do të ishte emër më i mirë, për të treguar pranimin e shtetit të pavarur të Kosovës.

Të fundit

Aktuale