Lajme

Intervista e Albin Kurtit në RTV Dukagjini. What the Fu*k?


Albin Kurti ne interviste

Që Asociacioni të mos ketë kompetenca ekzekutive do të kujdeset Goran Rakiç, udhëheqësi i Listës Serbe dhe koordinuesi i barrikadave në Veri. Ligji që e rrëzoi Kushtetuta e Kosovë, sepse ndërhynte në parimin bazë të ndarjes së pushteteve ishte i mirë. Në Kosovë nuk ka lidhje a e shkel Kushtetutën, por për çfarë e shkel Kushtetutën. Martin Berishaj, përkundër që po hetohet nga institucionet e Kosovë dhe e ka pranuar edhe vetë që nuk ka bërë deklarimin e pasurisë sipas ligjit, s’ka nevojë të shkarkohet, sepse “e ka dhënë shpjegimin e tij”.  

Këto më lartë nuk janë shkarravina. Janë disa nga konstatimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në intervistën e tij të parë të vërtetë në një televizion të Kosovës.

Kurti për dy vjet i është shmangur ballafaqimit në intervista dhe siç u pa mbrëmë, për të mirën e tij.

I prezantuar me pyetje specifike për problemet konkrete dhe jo me aso të përgjithshme që i bëheshin nga BBC se “çfarë po ndodhë në Kosovë?”, dhe i ndjekur me nën-pyetje aktive, kryeministri ka prodhuar një kolazh anomalish.

Në pamundësinë për të gjykuar veprimet e të tjerëve me kritikë opozitare, por duke iu kërkuar elaborim për veprimet tij qeveritare, ai në intervistë më shumë sesa nervoz, dukej i befasuar/hutuar.

Por, befasia e Kurtit dhe irritimi i tij me pyetjet është tregues i një interviste të mirë.

Në gazetari intervistë e mirë për shikuesin nuk është përformanca e shkëlqyer e atij që intervistohet dhe as e atij që interviston. Në gazetari, intervista e mirë është kur konfrontimi prodhon qartësi. Kurti e kishte të paqartë pozicionin e tij brenda intervistës, prandaj prodhoi informacione të qarta, sepse nuk e kontrollonte dot rrjedhën e intervistës.

Siç thoshte një nga kolumnistët më të mirë të New York Times, Ben Smith, intervista e mirë të bën jo ta shijosh kafen duke shikuar televizor, por ta pështysh jashtë nga çudita me atë që dëgjon.

Në intervistën e Kurtit në Dukagjin, ishin disa sekuenca, kur ajo që dëgjohet të bën të kesh momente të tilla që pyet: What the Fu*k kryeministër?

Me radhë…

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e pati harxhuar gati një ditë të tërë të paraqitjes së tij në Kuvendin e Kosovës, duke shpjeguar një fjalë gjermanisht e cila është e vendosur në preambulën e marrëveshjes me Serbinë dhe tha se ajo ka të bëjë me “…to overcome the legacy of the past (tejkalimi i trashëgimisë të së kaluarës)”, duke u ballafaquar me të.

Pasi i bindi të gjithë, erdhi në emision dhe tha krejtësisht të kundërtën.

I ballafaquar me vetën e tij në opozitë kur thoshte se nuk duhet të bëhet dialog me Serbinë derisa ajo – pos tjerash – të dënojë kriminelët e luftës, Kurti hodhi poshtë krejt atë që kishte ngritur para disa ditësh.

“Po nuk i dënon Serbia kriminelët”, tha. “Serbia është vetë krimi shtetëror që është bërë tek ne”, vazhdoi.

Çfarë?

Po a nuk ishte kryeministri që iu desh ta lëshojë në telefon fjalën gjermane  “Vergangenheitsbeëältigung”, për të treguar se si Serbia ka pranuar të de-nazifikohet institucionalisht dhe psikologjikisht?

Le që Serbia, po Kurti refuzoi edhe vetë të ballafaqohet me të kaluarën e tij.

“Ato kanë qenë para më shumë se 10 vjetësh. Pse e keni kaq të rëndësishme a kam ndryshuar”, thoshte.

“Pse jeni të obsesionuar?”, pyeti për të vazhduar më pas të deklarojë se gjithçka që ka thënë në të kaluarën ka qenë një strategji e caktuar të cilën tash e ka ndryshuar.

“Koncepti, qëllimi është i njëjtë, strategjia ka ndryshuar”, pranoi, pa treguar se cili qenka qëllimi dhe a përkon edhe me qëllimin e atij që e voton për shkak të strategjive që ndryshojnë.

Duke dashur t’i ndihmojë vetes për ta arsyetuar minimalisht shpjegimin e tij, Kurti bëri edhe një gabim maksimal.

“Unë bëj pranim minimal të realitetit, për ndryshim maksimal të tij”, deklaroi kryeministri.

Por, pranimi minimal i realitetit nuk e ndryshon as minimalisht atë, përveç se e arsyeton mosndryshimin e realitetit dhe ndryshimin e personit në përshtatje të realitetit që nuk ndryshon.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës e ka refuzuar maksimalisht realitetin, prandaj ka arritur ta ndryshojë krejtësisht atë. Fatkeqësisht Kurti e pati pranuar veç minimalisht UÇK-në, prandaj nuk mendon dot maksimalisht si ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Madje, ata i quante “kriminelë të paqes” sa ishte në opozitë. Por, si pothuajse gjithçka, edhe kjo ka ndryshuar. Kjo u kuptua po ashtu në intervistë.

“Pse mendoni që e kam personalisht, unë kam analizuar tekstin dhe kam bërë kritikën”, tha, duke sqaruar pse atëherë kritikonte çfarë tash po pranon.

Marrëveshja…

Kurti në një moment, në një fjalim të Kuvendit të Kosovës, pati treguar se marrëveshja 11-pikëshe u ka ardhur nga ndërmjetësuesit në formatin “merre ose leje”.

Në një tjetër moment pati thënë se “kjo nuk është marrëveshje që e kam negociuar unë, është historik i dialogut 10 vjeçar. Nuk është se unë kam propozuar diçka e gjendet në atë dokument”.

Këto i kishte thënë në kohën kur ende e kishte të paqartë pozicionin e vet në raport me dokumentin.

Tash që e ka pranuar atë dokument dhe tash që ai është një marrëveshje, Kurti thotë të tjera gjëra.

Tani marrëveshja është “më e mira e mundshme” dhe për më tepër “ka potencialin që të shkëlqejë”.

“Aktualisht nuk shkëlqen… por e ka potencialin për të shkëlqyer në të ardhmen”, tha.

Anomalitë logjike me Asociacionin…

Para një kohe dallimi ishte a pranohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe apo jo dhe a është Asociacioni brenda Marrëveshjes apo jo?

Albin Kurti ka zbuluar një variant të ri ku nuk diskutohet më se a pranohet Asociacioni, por në cilin nen-pranohet Asociacioni. Derisa, brena të njëjtës fjali zhvleftëson rëndësinë e pozicionimit të Asociacionit në dokument, sepse sqaron se nenet e as marrëveshjet nuk kanë rëndësi hierarkike.

“Nuk kam lejuar të jetë në nenet e para”, thotë ai, e “as në preambulë”.

Po, cila është rëndësia se në cilin nen është pranuar, nëse është pranuar?

Dhe faktin që s’ka rendësi e thotë vetë kryeministri, kur sqaron se “Nuk kam lejuar që Asociacioni të nxirret jashtë prej atij thesit me 39 marrëveshje”. Pra, Asociacioni është në njërin nga nenet.

Dhe përfundimisht, a e ka pranuar?

“Dal kryeministër jo serioz”, pohoi “nëse them që nuk janë bërë ato marrëveshje”.

Statutin e shkruan Rakiçi…

Informacioni më i rëndësishëm i intervistës ishte se u kuptua kush është personi kryesor në procesin e shkrimit të draftit të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ekipin e përbëjnë gjashtë veta, të cilët janë emëruar në shtatorin e vitit 2020 dhe vendimin për këtë e ka bërë ish-zëvendëskryeministri (Goran) Rakiç nga Lista Serbe. Janë dy serbë nga veriu, dy serbë nga Jugu, shefi i OSBE-së dhe Ministri i Pushtetit Lokal”, tregoi.

Rakiç, udhëheqës i bandave kriminale në veri, urdhërues i largimit të serbëve nga institucionet, sabotues i vendimit të qeverisë për targat, koordinues i personave me maska dhe urdhërues i vendosjes së barrikadave, do të jetë personi që do të kujdeset që statuti i Asociacionit të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës.

What the Fu*k kryeministër?

Kurti u pyet edhe se a do ketë Asociacioni organe të vetat, kryetar e trupë udhëheqëse dhe si do funksionojë.

Nuk u përgjigj. Edhe pse, tash e tutje, adresa për qartësim të mëtejmë për organogramin e Asociacionit është Goran Rakiç e jo Albin Kurti.

Pro’sor Martin Berishaj…

Martin Berishaj është shkelës i ligjit në Kosovë, por Kurti nuk e thotë. Martin Berishaj nuk është profesor në asnjë universitet, askund, por Kurti i referohet si profesor Berishaj.

Martin Berishaj e ka pranuar vetë para komisionit parlamentar të Kosovës se ai nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë ashtu siç e kërkon ligji i Kosovës. Për këtë arsye Agjencioni Kundër Korrupsion i ka ngritur kallëzim penal dhe Prokuroria Themelore po e heton.

Por, për kryeministrin e Kosovës kjo nuk paraqet problem.

“Ai e ka dhënë shpjegimin e vet”, tha kryeministri, duke lënë të nënkuptohet se kaq mjafton për t’ia hedhur paq.

Derisa u lëshua në shpjegime banale se kundër Martin Berishajt po bëhet fushatë negative, paçka se pothuajse të gjitha ato që janë raportuar për Berishajn, ai i ka konfirmuar.

“Fushatë e egër është zhvilluar kundër Martin Berishajt në Kosovë, Serbi e Slloveni”, deklaroi, për të lëshuar një gënjeshtër më pas.

“Kryeministri aktual slloven e ka quajtur shpifje e shpikje këtë”, tha Kurti.

Por, kjo nuk është e vërtetë. Robert Golob nuk e ka quajtur shpifje e as shpikje atë që është raportuar për Brishajn. Ai ka thënë se “është shpifje dhe shpikje” informacioni se ai ka lidhje me Berishajn.

Golob nuk e ka larë fare ambasadorin e Kosovës, veçse ka thënë se ky person është shok me rivalin e tij politik Janez Janshën.

Shkelja e Kushtetutës…

Një tjetër moment “What the Fu*k” i Kurtit në intervistë ishte ai i klasifikimit të shkeljeve të Kushtetutës.

Për profesorin e nderuar të së drejtës ndërkombëtare, Zejnullah Gruda, thoshin se për ta shpjeguar njohjen e shteteve thoshte se njohja është sikur shtatzënia, “nuk mund të jesh pak shtatzënë, ose je ose nuk je”, njëjtë “nuk mund ta pranosh pak një shtet, ose e pranon ose jo”.

Albin Kurti e përmbysi shembullin. Sipas tij, bën që ta shkelësh pak Kushtetutën.

Argumenti i tij se Isa Mustafa është super-kriminel që e shkel Kushtetutën, ndërsa Albulena Haxhiu nuk është aspak kriminele për të njëjtën gjë, konsiston në faktin se dallon arsyeja e shkeljes.

Madje ai për këtë të fundit nuk e quante as shkelje, por rënie ndesh me Kushtetutën.

“Isa Mustafa e ka shkelur Kushtetutën”, kurse “Albulena Haxhiu ka rënë ndesh me të”.

Në fakt, shkelja e Kushtetutës së Kosovës ishte aq e rëndë nga Haxhiu, saqë vendimi i Gjykatës thotë se qeveria përmes këtij ligji ka rënë ndesh me “nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit”.

Shkelja ka prekur bazën e rregullimit të demokracisë, por çudia me Kurtin nuk ndalet me anomalinë e klasifikimit të shkeljeve.

Përkundër se ligji deformonte shtyllën e rendit demokratik të ndarjes së pushteteve, kryeministri tha se “ligji ka qenë i mirë”.

Çfarë?

“Për mua ligji ka qenë i mirë përsëriti”.

Vëmendje: Kryeministrit të Kosovës i ka pëlqyer një ligj i cili çrregullon Formën e Qeverisjes, ndërhynë në Ndarjen e Pushtetit, prekë Kompetencat e Kuvendit, lëvizë Rolin e Avokatit të Popullit dhe më e rënda cenon Barazinë para Ligjit.

Specialja…

Duke mos treguar sinqeritet në përgjigjet e tij, Kurti binte preh e formulimeve pa përmbajtje.

I pyetur se përse nuk viziton ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë, ai tha se një nga arsyet është se nuk e njeh gjykatën.

Ndërsa, kur foli për të akuzuarit, iu referua atyre si “të pandehur”, që është një term brenda rregullit të gjykatës.

Nëse nuk e njeh gjykatën për të tillë, ata nuk janë të pandehur, por janë persona që po mbahen peng, apo jo.

Por, meqë ishte nga fundi i intervistës, shikuesit s’kishin më hapësirë për befasi.

E gjithë intervista ishte një çudi e madhe. Fjalitë e varfra, jo sinqeriteti në sqarime, mungesa e rezultateve dhe lëshimet e paimagjinueshme brenda vetëm dy vjetësh, e kanë bërë atë të duket një politikan i dobët, pa karizëm dhe i shpërqendruar.

Fatmirësisht, dikush, pas 2 vjetësh, ia mbushi mendjen për të dhënë një intervistë, për ta parë secili gjendjen e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore