Shqipëria

Interpelanca për Olsi Ramën ‘fshihet’ nën titullin e debatit për ‘çështjet e drogës’ – Konferenca e Kryetarëve vendos të hënën


Nuk do të jetë ndoshta një interpelancë e mirëfilltë me kryeministrin Edi Rama për akuzat që rëndojnë ndaj vëllait të tij, Olsi Rama, prej opozitës shqiptare, se ka qenë i përfshirë në dosjen “Xibraka”, një çështje të mbyllur për prodhimin dhe tregtimin e kokainës në vend.

Megjithatë, opozita, me një “kamuflim” të thjeshtë, ndoshta do ta marrë atë që kërkon.

Në Konferencën e Kryetarëve, të pritur për t’u mbledhur më 15 prill, do të jetë në rend dite edhe shqyrtimi i një kërkese nga Grupi Parlamentar demokrat.

Kjo kërkesë ka të bëjë me mocionin për debat rreth problematikës së prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike në Shqipëri.

Në kushte normale, palët do të duhet ta votojnë për ta kaluar në seancë plenare këtë mocion, në rast se nuk bllokohet nga shumica parlamentare – ndonëse rastet kanë qenë të dyzuara në këtë aspekt.

Debati fillestar pritet pikërisht gjatë Konferencës së Kryetarëve rreth çështjes e më tej, nëse kalon, do të ketë edhe debat në Parlament.

Kështu, demokratët do të kenë aty mundësinë që përtej mohimit për një interpelancë nga kryeministri Rama, të kenë mundësi të flasin për akuzat që pala e pakicës ngre ndaj Olsi Ramës, duke qenë se edhe atë e trajtojnë si një çështje të prodhimit dhe trafikimit të drogës.

Një hije të tillë ia ka veshur përciptazi edhe deputetja Ina Zhupa, e cila në seancën plenare të 11 prillit, e artikuloi se ndonëse interpelanca nuk është pranuar, Kuvendin nuk e ndalon asgjë që të diskutojë çështje shumë të ndjeshme, siç është ajo e drogës në vend.

Si erdhëm deri këtu?

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ka kërkuar nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, që interpelanca me kryeministrin Edi Rama të futej në rend dite në seancën e 4 prillit.

Kjo, pavarësisht se ky i fundit ka thënë se diçka e tillë është e pamundur, pasi objekti i kërkesës së Bardhit – akuzat e ngritura nga ai vetë karshi vëllait të kryeministrit, Olsi Rama, për çështjen “Xibraka” – nuk përbëjnë arsye të vlefshme për interpelancë, pasi nuk lidhen me punët e Qeverisë.

Për këtë, Rama ka bërë edhe një reagim publik, sa i takon arsyetimit që ai ndërmerr lidhur me refuzimin për interpelancë.

Bardhi megjithatë, ia ka bërë Nikollës të qartë se ai kërkonte që interpelanca të futej në rend dite.

“Kushtetuta dhe rregullorja të detyron të përfshish në rendin e ditës interpelancën me kryeministrin. Sot jam njoftuar publikisht nga kryeministri, për refuzimin e interpelancës”, ka qenë reagimi i Bardhit.

Ai akuzon mazhorancën se e ka kthyer Republikën Parlamentare në një “Republikë kryeministri”.

“Nuk ka tagër ligjor dhe kushtetues që kryeministri të vendos arsyet dhe temat e thirrjes në interpelancë ashtu siç nuk ka tagër të refuzojë. Kjo është shkelje e hapur kushtetuese”, përmbyll reagimin Bardhi.

Reagimi i Ramës

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë shprehimisht se është e pamundur që ai të thirret në interpelancë parlamentare me kërkesë të kreut të Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, lidhur me një akuzë që ky i fundit ka ngritur për vëllain e kryeministrit, Olsi Rama, sa i takon çështjes së njohur si “Xibraka”.

Në këtë çështje, Bardhi pretendon se Olsi Rama është i përfshirë në dosjen Xibraka, lidhur me një laborator të zbuluar për prodhimin e kokainës, në Xibrakë të Tiranës.

Por, vetë vëllai i kryeministrit, përtejse i ka mohuar akuzat, edhe ka çuar në SPAK deputetin demokrat Bardhi, për kallëzim të rremë.

Teksa, kryeministri Rama, përgjigjet përmes një publikimi në X, ish-Twitter, se është rregullorja, ajo e cila ia pamundëson pjesëmarrjen në interpelancë.

Kjo, pasi kërkesat për interpelancë me kryeministrin duhet të kenë të bëjnë me veprimtarinë e Qeverisë dhe qartësisht, akuzat e shtruara nga Bardhi për Olsi Ramën, nuk janë çështje qeveritare.

“Duke vënë re se akuzat, fabrikimet, fantazitë e një deputeti apo grupi deputetësh, lidhur me familjarët e kryeministrit, zv.kryeministrit ose të çdo anëtari tjetër të kabinetit qeveritar, nuk kanë asnjë lidhje me motivet, synimet, qendrimet e Këshillit të Ministrave, kërkesa për interpelancë nga deputeti Gazmend B më gjen në pamundësinë e plotë për ta përmbushur”, shkruan kryeministri.

Më tej, ai shtjellon se Bardhi duhet ta presë me durim edhe SPAK-un të na ndriçojë lidhur me vërtetësinë e zbulimit prej tij të trafikantit të paidentifikuar.

Mandej, edhe e ironizon deputetin demokrat, duke shtuar se Bardhi po e bën gjithë këtë “zbulim”, për të “fituar besimin e padronit të ri” (referuar Sali Berishës dhe aleancës që Bardhi ka bërë me të në javët e fundit).

“Plus, të treja pyetjet që autori i zbulimit më drejton nuk kanë asnjë lidhje me asnjë realitet faktik. Ato burojnë thjesht nga hipoteza haluçinante mbi të cilën ngrihet zbulimi i tij, për të cilin ai edhe është kallëzuar menjëherë në SPAK nga vëllai im ‘trafikant’”, shton Rama më tej.

“Për më shumë, rikujtoj këtu se ç’është në dorën e SPAK-ut, për çfarëdoqoftë e për këdoqoftë, aq më tepër për tim vëlla, nuk është dot në gjuhën time dhe nga ana tjetër, një interpelancë parlamentare, ku gënjeshtrat e thëna publikisht kthehen në pyetje për subjektin e tyre, do t’i njihte çdo gënjeshtari të drejtën e padëgjuar të kërkesës së llogarisë për gënjeshtrat e tij, ndërkohë që rregulli elementar i kësaj bote qëkur njeriu i dalë nga shpella u organizua shoqërisht, e do që gënjeshtari duhet të japë, jo të kërkojë llogari”, vijon.

Kështu Rama e përkufizon se nuk është gjëkundi në përputhje as me detyrën, as me shkallën të tij të tolerancës ndaj ultësisë njerëzore, por as me nivelin minimal të dinjitetit të Kuvendit të ligjvënësve të Shqipërisë, që ai të ulë përtokë çmimin e kohës së nevojshme për punët e mëdha e të vogla që ka detyrë të ndjekë si i zgjedhur i popullit në drejtimin e vendit.

Në përmbyllje, përmend edhe gjithë rastet e mëparshme, të cilat ngjasojnë sipas tij me këtë të Bardhit.

“Tamam për çështjen për të cilën kam fituar një gjyq për shpifje, me një vendim fajësie për padronin e vjetër të Gazmend B, shtetasin Lulëzim B, siç kam fituar deri më tash edhe 11 gjyqe për shpifje (10 të tjera janë në proces) për të tjera sajesa të ngjashme me të tjerë shërbëtorë të zellshëm si ky dhe me vetë padronin e ri të tij, një tjetër B, ku e ku më famëkeq se sa B-ja i mëparshëm, aspak rastësisht i vetmi ish-president e kryeministër në historinë e Europës, i shpallur Non Grata nga Shtetet e Bashkuara, për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore