Interesimi i madh i serbëve për nënshkrimin e peticionit për shkarkimin e Atiqit
Dreni Himbeqa
17.01.2024 9:38Qytetarët në Mitrovicën e Veriut, të mërkurën në mëngjes janë grumbulluar afër sallës së sportit në këtë komunë, për të nënshkruar peticionin e shkarkimit të kryetarit, Erden Atiq.
Numri i qytetarëve të cilët janë grumbulluar në sallën e sporteve afër stacionit të autobusëve në këtë komunë për të nënshkruar peticionin është relativisht i lartë.
Para sallës së sportit është e pranishme edhe Policia e Kosovës, e cila po monitoron të gjithë procesin.
Në grumbullin e qytetarëve janë parë edhe ish-krerët e Listës Serbe dhe ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut nga kjo parti.
Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror Zgjedhor për të qenë i suksesshëm procesi i shkarkimit në Mitrovicë të Veriut nevojiten 3 mijë e 640 nënshkrime.
Mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e Lulzim Hetemit, gjithashtu ka nisur në orën 9:00 të mërkurën e 16 janarit.
Mbledhja e nënshkrimeve po organizohet para ndërtesës së Komunës së Leposaviqit.
Nga pamjet në terren numri i interesuarve për nënshkrimin e peticionit është relativisht më i vogël në krahasim me numrin në Mitrovicë të Veriut.
Në Leposaviq, sipas KQZ-së duhet të mblidhen 2 mijë e 689 nënshkrime në atë mënyrë që të iniciohet tutje procesi i shkarkimit të Lulzim Hetemit.