Sport

Inter – Socios, bashkëpunimi mund të ndërpritet vitin e ardhshëm


Inter-i, gjatë ditës së mërkurë, ka zyrtarizuar marrëveshjen me sponsorin më të ri në fanellë “Socios.com”. Zikaltrit i kanë dhënë kështu fund një marrëveshjeje 26-vjeçare me “Pirelli”, sponsorin ikonik në fanellat e tyre.

“Socios” do ta paguajë Inter-in 20 milionë euro në vit, duke u bërë marrëveshja sponsorizuese e treta më e madhja në Serie A, pas: Jeep – Juventus me 45 milionë euro dhe Fiorentina – Mediacom me 25 milionë euro.

Gazeta italiane “Il Corriere dello Sport” raporton se marrëveshja mes Inter-it dhe “Socios” do të zgjasë katër vjet, por klubi italian ka të drejtën e anulimit të saj pas vitit të parë, nëse arrin që të gjejë një sponsor që i ofron më shumë të ardhura.

Kjo është një klauzolë në favor të Inter-it, duke pasur parasysh që ata synonin të merrnin 30-35 milionë euro fillimisht nga sponsori i fanellës dhe pas një viti mund të ketë kompani që ia ofrojnë ato para.

Gjithsesi, nga sponsorët deri më tani, Inter-i ka arritur të grumbullojë 20 milionë euro nga “Socios”, që do të qëndrojë në pjesën e përparme të fanellës, 5-10 milionë euro nga “Lenovo”, që do të qëndrojë në pjesën e pasme të fanellës, si dhe ka mundësi për të fituar të ardhura edhe për një tjetër sponsor që mund të vendoset në mëngët e fanellës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore