
Inter-i duket se kërkon të shtojë “komunitetin” e shqiptarëve. Pasi arriti marrëveshjen me Empoli-n për Kristjan Asllanin, zikaltrit duan një tjetër lojtar kuqezi.
Sipas gazetës së përditshme italine “Tuttosport”, Inter-i dëshiron shërbimet e Marash Kumbullës nga Roma.
Zikaltrit pritet të humbasin shërbimet e Milan Skrinar, i destinuar për të shkuar në Paris ose Londër.
Gjithashtu, edhe Stefan de Vrij mund të largohet, pasi është në vitin e fundit të kontratës dhe nuk ka pranuar të rinovojë.
Për pasojë, Inter-i rrezikon të mbetet me vetëm një qendërmbrojtës të mirëfilltë, Alessandro Bastoni.
Në këto kushte, zikaltrit kanë piketuar emrat që duan për të forcuar prapavijën. Listën e prin braziliani i Torino-s, Gleison Bremer.
Pas tij vjen Nikola Milenkovic i Fiorentina-s.
Së fundmi, edhe Kumbulla po fiton terren për të qenë futbollist i Inter-it.
22-vjeçari është shëndruar në lojtar rezervë te Roma e Jose Mourinho-s dhe largimi nga “Olimpico” duket më se i mundshëm.
Mbrojtësi kuqezi ka edhe tri vite të tjera kontratë me Roma-n. Kartoni i tij vlerësohet rreth 16 milionë euro.
Sezonin e fundit, ai u paraqit në 28 ndeshje, ku shënoi dhe një gol.
Në total u aktivizua në 1 mijë e 801 minuta, çfarë përbën diçka më shumë se 20 ndeshje të plota.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com