Inter-i vuan, por rigjen Lautaro-n dhe fitoren në Serie A

Kapiteni Lautaro zhbllokohet për këtë sezon në Serie A
SHFLETO
Romario Ismailaj
28.09.2024 16:59
Loading Icons...

Inter-i është rikthyer të fitojë në Serie A pasi u mund javën e kaluar në derbi nga Milan-i (2-1). Këtë të shtunë zikalterit fituan 3-2 në transfertën e Udinese-s, me dy gola që erdhën nga kapiteni, Lautaro Martinez.

Zikaltërit udhëtuan për në Udine për ndeshjen e javës së gjashtë në Serie A. Dhe, rezultoi të ishte një takim i vështirë ndaj vendasve, të cilët mund të kishin barazuar shifrat në 3-3 nëse ajo penallti e pretenduar në fund të takimit do të rezultonte e tillë.

Skuadra e Simone Inzaghi-t e nisi mirë ndeshje duke gjetur rrjetën me Davide Frattesi-n që në sekondat e para.

Megjithatë, Udinese do të barazonte shifrat në 1-1 falë golit të Christian Kabasele-s, në minutën e 35-të.

Inter-i do të gjente një tjetër gol gjatë pjesës së parë. Kësaj radhe ishte Lautaro, i cili deri më tani nuk kishte mundur të shënonte këtë sezon në Serie A. Argjentinasi realizoi në sekondat e fundit të pjesës së parë.

Edhe pjesa e dytë nisi me vrull nga Inter-i, me kapitenin Lautaro që do të gjente golin e dytë personal në minutën e 47-të.

Lorenzo Lucca do të ngushtonte shifrat në 2-3 në minutën e 83-të, por vendasit nuk do të ishin të aftë për të marrë diçka më shumë nga kjo ndeshje.

Me fitoren e arritur, Inter-i shkon në 11 pikë, duke qëndruar pas Milan-it kryesues të Serie A. Udinese mban vendin e pestë me 10 pikë. Renditja pritet të ndryshojë ndjeshëm pasi vetëm dy takimë janë zhvilluar nga java e gjashtë në Serie A.

Java e gjashtë e Serie A nisi të premten me takimit Milan – Lecce 3-0. Këtë të shtunë do të luhen takimet: Genoa – Juventus dhe Bologna – Atalanta.

Të dielën zhvillohen takimet: Torino – Lazio, Roma – Venezia, Como – Verona, Empoli – Fiorentina, Napoli – Monza. Java mbyllet të hënën me duelin Parma – Cagliari.