Sport

Inter-i shpartallon Bologna-n në “Giuseppe Meazza”


Skuadra e Inter-it ka arritur një fitore tenistike përballë Bologna-s në “San Siro” apo “Giuseppe Meazza” siç njihet ndryshe, me shifrat 6-1.

Inter-i dhe Bologna u përballën për llogari të javës së katërt të Serie A. Djemtë e drejtuar nga Simone Inzaghi ishin superior ndaj atyre të Sinisa Mihajlovic-it.

Tre gola u shënuan në pjesën e parë dhe katër në pjesën e dytë. Përkatësisht pjesa e parë u mbyll në shifrat 3-0 për të zotët e shtëpisë.

Goli i parë erdhi në minutën e 6 nga Lautaro Martinez-i. Argjentinasi shënoi pas asistit të Denzel Dumfries-it. Qendërmbrojtësi, Milan Skrinar shënoi golin e dytë për zikaltrit në minutën e 30, pas asistet të Federico Dimarco-s.

Mesfushori, Nicolo Barella vulosi shifrat në 3-0 për pjesën e parë, katër minuta pas golit të Skrinar-it.

Me fillimin e pjesës së dytë, epërsia e Inter-it ishte përsëri e dukshme ndaj kundërshtarit. Matias Vecino do të shënonte golin e katërt të takimit në minutën e 54 dhe asistues ishte përsëri Dimarco.

Shtatlarti boshnjak, Edin Dzeko shënoi dy golat e radhës për Inter-in, në minutat 63 dhe 68. Marcelo Brozovic asistoi te goli i parë i boshnjakut dhe Alexis Sanches te goli i dytë.

Golin e vetëm për miqtë e shënoi Arthur Theate në të 86 minutë, gol i cili vulosi shifrat përfundimtare të takimit.

Me fitoren e arritur, Inter-i ngjitet në kuotën e 10 pikëve, ndërsa Bologna ka shtatë pikë.

Në ndeshjen tjetër të të shtunës në Serie A, midis Genoa-s dhe Fiorentina-s, miqtë ia kanë dalë të largohen me tri pikët, pas fitores 1-2.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore