Sport

Inter-i mposhtet nga Empoli, Bajrami asiston në golin e fitores


Inter-i është befasuar nga Empoli, duke u mposhtur në shtëpi me rezultat minimal, 0:1 nga Empoli, në ndeshjen e javës së 19-të në Serie A.

Zikaltrit ishin më të mirë në këtë ndeshje deri në minutën e 40-të, kur u ‘tradhëtuan’ nga kapiteni i tyre, Milan Skriniar.

Sllovaku u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja.

Mysafirët e shfrytëzuan epërsinë numerike në fushë, derisa ia dolën të kalojnë në epërsi në minutën e 66-të.

Ishte mesfushori kuqezi, Nedim Bajrami, që asistoi te talenti i Empoli-t, Tommaso Baldanzi, i cili shënoi për 0:1.

Deri në fund të sfidës, Empoli arriti ta ruajë mirë epërsinë minimale, kështu duke marrë tre pikë të arta.

Ndërkohë, minuta në fushë pati edhe për Kristjan Asllanin, i cili u aktivizua tek Inter-i në minutën e 76-të.

Pas kësaj disfate, Interi ka mbetur në vend të tretë në tabelë me një pikë prapa Milanit dhe 13 pikë prapa liderit Napoli.

Në anën tjetër, Empoli është ngritur në vend të nëntë në renditje me 25 pikë, dy më shumë se Juventusi që ndodhet në pozitën e dhjetë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore