Sport

Inter-i eleminon Milan-in nga Kupa e Italisë


Derbi midis Inter-it dhe Milan-it, i luajtur mbrëmjen e së martës, i pa të gjitha. Gola, kartona, përplasje, kthim rezultati dhe në fund Inter-i që buzëqesh. Zikaltrit kthen rezultatin nga 0-1, ne 2-1, me anë të Christian Eriksen-it në 90+7’. Inter-i kalon në gjysëm finalen e Kupës së Italisë, ku do të gjejë përballë një midis Juventus-it ose Spal-it, që luajnë ditën e mërkurë.

Ndeshjet derbi përgjithësisht janë të ashpra dhe të luftuara. Pikërisht kështu ndodhi edhe në Inter-Milan. E luftuar deri në fund dhe e përfunduar me tetë kartona të verdhë dhe një të kuq.

Pjesa e parë e takimit, ashtu si dhe gjithë ndeshja fliste më shumë për Inter-in. Ekipi i Antonio Conte-s ishte më kërkues, për të gjetur rrugen e golit. Pavarësisht se golin fillimisht do e gjente Milan-i me anë të të zakonshmit Zlatan Ibrahimoviç-it.

Ibra shënoi në të 31’, pas një asisti të Soualiho Meite-s. Me këtë rezultat do të mbyllej dhe pjesa e parë. Pjesë e cila do të sillte dhe një lajm të keq për Stefano Pioli-n, dëmtimin e Simon Kjaer-it. Në të 20’ Kjaer-i la fushën dhe në vend të tij hyri transferimi më i ri i Milan-it, Fikayo Tomori.

Pjesa e parë u shoqërua dhe me një incident, përplajsa mes Romelu Lukaku-t dhe Ibrahimoviç-it. Te dy gjigantët e sulmeve respektive të të dy ekipeve, u kapën me fjalë dhe ishin drejt një konfrontimi fizik.

Nga kjo përplasje mediat italiane kanë zbuluar një pjesë të fjalëve të shkëmbyera nga të dy sulmuesit. Sipas asaj që transmetohet në këto media, fjalori i përdorur është anti-sportiv dhe shumë i rëndë. Të dy lojtarët rrezikojnë pezullimin dhe pritet se çfarë do të ndodhë në vazhdim, në lidhje me këtë ngjarje.

Ky incident do të mbyllte dhe pjesën e parë. Pjesa e dytë, fillon me të njëjtin ritëm si e para për Inter-in, që i gjendur në humbje, vetëm sulmon.

Në të 58’ Ibra do të merrte kartonin e dytë të verdhë, që automatikisht ishte karton i kuq. Suedezi shkaktoi një faull në mesfushë, në dëmë të Aleksandar Kolarov-it.

Në të 70’ VAR-i ndërhynë, për një rast ku futbollisti i Inter-it, Nicolo Barella, pengohet në zonën e Milan-it, duke akorduar penallti për zikaltrit.

Lukaku merrë përsipër ekzekutimin e penalltisë dhe në të 71’, ndeshja vihet në barazpeshë. Milan-i me 10 lojtarë në fushë, ishte totalisht inekzistent në fazën sulmuese. Asnjë goditje drejt portës për kuqezinjë në pjesën e dytë , ndërkohë që Inter-i kishte 19 të tilla

Në të 88’ Conte, bën zëvendësimin që do të rezultonte deciziv në këtë ndeshje. Në lojë futet Eriksen-i. Danezi që nuk para preferohet nga Conte, do të ishte shpëtimtari i këtij të fundit.

Atëher kur ndeshja mendohej se do të shkonte drejt shtesës së 30’, një faull në 90+7’ dhe me Eriksen-in si ekzekutues të atij faulli, gjithçka përmbyset në 2-1 për zikaltrit.

Tre minutat e mbetura të lojës nga 10’ të shtesës, që u dhanë në fundin e kësaj pjese, nuk sollën ndryshime të tjera. Vetëm një karton të verdhë për Franck Kessie-n dhe Achraf Hakimi-n.

Inter-i i Conte-s kalon në gjysëm finale dhe për Milan-in e Stefano Pioli-t mbyllet këtu kjo aventurë.

Notat e lojtarëve, për Inter-in ishin: Handanoviç 6.4, De Vrij 6.6, Kolarov 7.8, Perisiç 6.8, Vidal 7.3, Brozoviç 7.2. Barella 7.4, Darmian 6.5, Lukaku 7.0 dhe Sanchez 7.8.

Notat e lojtarëve të Milan-it ishin: Tatarusanu 8.2, Dalot 6.5, Kjaer 6.4, Romagnoli 6.9, Hernandez 6.8, Kessie 7.1, Meite 6.8, Leao 6.6, Diaz 6.7, Saelemaekers 6.6 dhe Ibrahimoviç 6.4.

Zëvendësuesit për Inter-in janë vlerësuar me notat: Bastoni 7.1, Eriksen 7.3, Young 6.5, Martinez 7.3. Për Milan-in zëvendësuesti kanë marrë notat: Tomori 6.9, Castillejo 6.2, Kruniç 6.3 dhe Rebiç 6.4.

Portieri i Milan-it, Tatarusanu ishte më i vlerësuari në këtë ndeshje me tetë pritje, shtatë prej të cilave brenda 16m.

Pas ndeshjes kanë folur të dy teknikët.

Conte: “Gjysmëfinale e njëjtë si vitin e kaluar, falënderoj mbi të gjitha lojtarët për paraqitjen. Bënë interpretimin e duhur të këtij derbi, një ndeshje e vështirë ndaj një ekipi të shkëlqyeshëm. Nuk është i pari në klasifikim sepse ja kanë falur! Jam i lumtur që kam arritur të kapërcej në gjysmëfinale”

“Derbi nuk është shëtitje! Ibra-Lukaku, më pëlqeu ai tërbim. Milanit nuk i ka falur askush asgjë”

Pioli: “Na vjen keq që kemi dalë, ishim të etur për konkursin. Ndeshja na tha që mund të vazhdojmë si një ekip i fortë, kur mbetëm me 10 u komplikua situata.

“I vetmi ndryshim i bërë ishte fakti që ne mbetëm me dhjetë, sepse njëmbëdhjetë kundër njëmbëdhjetë shte e hapur për çdo rezultat dhe ne ishim në avantazh”./ AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore