Lajme

Inteligjenca franceze thotë se nuk ka prova që shpërthimi në spitalin e Gazës ishte “sulm izraelit”


Agjencia franceze e inteligjencës ushtarake DRM tha të premten se nuk kishte prova se një sulm izraelit kishte shkaktuar shpërthimin në spitalin Al-Ahli në Gaza që vrau qindra njerëz.

“Hipoteza më e mundshme është se një raketë palestineze shpërtheu me një ngarkesë prej rreth pesë kilogramësh”, thotë të martën Drejtoria e Inteligjencës Ushtarake, duke shtuar se nuk kishte “asgjë që të tregonte… një sulm izraelit”.

Komuniteti i inteligjencës amerikane vlerëson se midis 100 dhe 300 njerëz u vranë në shpërthimin në spitalin Al-Ahli në Gaza.

Ky informacion u raportua nga multimediali “CNN” bazuar në një vlerësim të paklasifikuar të inteligjencës që mori.

Sipas një zyrtari të lartë të inteligjencës evropiane, numri i viktimave në fakt do të ishte shumë më i ulët.

“Nuk ka 200 apo 500 të vdekur, por disa dhjetëra, ndoshta midis 10 dhe 50″, tha ky burim, në kushte anonimiteti, për Agence France-Presse (AFP).

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite, Jonathan Conricus, kundërshtoi gjithashtu numrin prej 471 vdekjesh të paraqitur nga Hamasi: “Ku janë të gjithë trupat?”, pyeti ai.

Pamjet satelitore të kompleksit spitalor para dhe pas të shtënave, të publikuara të mërkurën nga kompania Maxar Technologies, “zbulojnë një zonë të mundshme ndikimi në parkingun kryesor”, por pa “ndonjë dëmtim të konsiderueshëm strukturor” në ndërtesat ngjitur.

Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale të verifikuara nga AFP-ja tregojnë rrënojat në flakë jashtë spitalit.

Fotot dhe videot nga Agence France-Presse (AFP) tregojnë dhjetëra trupa në çarçafë, çanta të zeza trupore ose nën batanije.

Në parkingun e spitalit shihen shumë makina të djegura. Pranë parkingut, një lëndinë është e mbushur me veshje dhe sende personale.

Sipas autoriteteve të Gazës, vendi strehonte qindra të plagosur dhe të sëmurë, si dhe civilë që kishin ardhur për t’u strehuar atje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore