Aplikacione

Inteligjenca artificiale pjesë e rekrutimeve: ‘Vdekja’ e CV-së?


Studentët e diplomuar këtë verë që aplikojnë për punë mund të përfitojnë nga një trajner i ri i intervistës.

Nëse ata dërgojnë një përshkrim specifik pune, ata mund të marrin pyetje dhe përgjigje të përshtatura për intervistë – dhe reagime mbi përgjigjet e tyre – të gjitha falas.

Trajneri, i ofruar nga motori i kërkimit të punës Adzuna, nuk është njeri, por një robot i inteligjencës artificiale i njohur si Prepper.

Mund të gjenerojë pyetje intervistash për më shumë se 1 milion role të drejtpërdrejta në kompani të mëdha, në industri që variojnë nga teknologjia dhe shërbimet financiare deri te prodhimi dhe shitja me pakicë.

Kur një përdorues i përgjigjet një pyetjeje, Prepper gjeneron një rezultat dhe u tregon atyre se cilat pjesë funksionuan mirë dhe çfarë mungonte.

Prepper është pjesë e një vale të re të chatbot-eve të mundësuar nga inteligjenca artificiale gjeneruese – nga ChatGPT te Bard dhe Claude.

Chatbot-et janë trajnuar në pjesë të mëdha teksti të nxjerra nga interneti, duke përfshirë librat, gazetat, bloget, videot dhe titrat e imazheve.

Ata mund të prodhojnë tekst të besueshëm dhe të sofistikuar që është kryesisht i padallueshëm nga shkrimi njerëzor.

Sipas Andrew Hunter, bashkëthemelues i Adzuna, ai ka “shumë mjete të zgjuara për të ndihmuar rekrutimin dhe për të ndihmuar njerëzit të gjejnë punë më lehtë”.

Inteligjenca artificiale nuk është një mjet i ri në punësimin dhe kërkimin e punës. Gjatë dekadës së fundit, është përdorur kryesisht për t’i bërë proceset më efikase dhe më të lira për punëdhënësit – nga kërkimi i fjalëve kyçe te CV-të, te filtrimi i intervistave me video të kandidatëve.

Por mjetet gjeneruese të inteligjencës artificiale po ribalancojnë dinamikën e fuqisë ndaj aplikantëve.

“Shumë nga përmirësimet e fundit që kemi parë janë në anën e kandidatit”, ka thënë Tomas Chamorro-Premuzic, një psikolog organizativ dhe ekspert në teknologjitë e punësimit.

“Disa vite më parë, punëdhënësit pretendonin se përdornin inteligjencën artificiale për t’u dukur mirë edhe nëse nuk ishin. Tani ata pretendojnë se nuk e përdorin”, ka thënë ai.

Matt Jones, nga kompania e teknologjisë së rekrutimit Cielo, ka treguar se “inteligjenca artificiale gjeneruese mund të krijojë profile shumë të mira – mund të ketë disa gabime, por vetëm individi do t’i njohë ato, jo punëdhënësi”.

“Kjo ngre pyetjen në lidhje me rëndësinë e shqyrtimit të CV-ve, letrave motivuese dhe aplikimeve, veçanërisht në fazën e hershme të karrierës. Pyes veten nëse kjo është vdekja e CV-së”.

Për të diplomuarit në një treg pune gjithnjë e më konkurrues, chatbot-et janë një mënyrë për të përballuar një proces potencialisht dërrmues.

Ayushman Nath, një student i vitit të dytë universitar, ka treguar se shumë nga kolegët e tij kanë luajtur me ChatGPT, chatbot publik i lëshuar nga OpenAI i mbështetur nga Microsoft, duke i kërkuar atij të shkruajë letra motivuese për kompani të veçanta.

Ai njeh njerëz që kanë përparuar në raundet e hershme ose kanë siguruar praktika duke përdorur letrat dhe aplikimet e shkruara nga ChatGPT.

“Nga ajo që kam përjetuar, është mirë të kapërcesh barrierat fillestare. Raundet fillestare të filtrimit janë të papersonalizuara, ndihen shumë të largët. Gjithçka është kaq e automatizuar”, ka thënë Nath për proceset e sotme të rekrutimit.

Nath dhe kolegët e tij kanë qenë gjithashtu subjekt i intervistave të automatizuara me video të drejtuara nga ofruesit e teknologjisë së rekrutimit si HireVue, i cili regjistron aplikantët duke iu përgjigjur pyetjeve të paracaktuara, zakonisht me një afat kohor për secilën përgjigje.

Regjistrimet ndonjëherë shikohen nga menaxherët e punësimit të punëdhënësit; ose algoritmet e inteligjencës artificiale të platformës vlerësojnë performancën e secilit kandidat, duke kërkuar fjalë kyçe të ndryshme nga përshkrimi i punës.

Kompania nuk ka nxjerr në treg ende asnjë produkt gjenerues të inteligjencës artificiale, por shkencëtarja kryesore e të dhënave, Lindsey Zuloaga, ka treguar se ekipi po teston mjete të tilla si chatbot-et e përgatitjes së intervistave dhe mënyra të reja për të nxjerrë informacion nga intervistat me video.

“Këto sisteme janë të fuqishme, por mund të jenë edhe të gabuara”, ka veçuar ajo.

Grace Lordan, një ekonomiste në Shkollën Ekonomike të Londrës dhe drejtore e The Inclusion Initiative, e cila studion diversitetin në mjediset e korporatave, ka thënë se kompanitë, veçanërisht grupet e teknologjisë, po eksperimentojnë me inteligjencën artificiale gjeneruese për të kryer intervista fillestare.

Sipas saj, intervistat e kryera nga inteligjenca artificiale mund të ndihmojnë disi për të hequr këtë paragjykim.

“Përdorimi i inteligjencës artificiale si një pikë tjetër serioze e të dhënave do të lejojë kthimin nga makineritë kundër paragjykimeve njerëzore”, ka thënë ajo.

Më shumë punëdhënës po përdorin metoda të reja vlerësimi për të zgjeruar grupin e kandidatëve nga të cilët punësojnë, në mes të mungesës globale të aftësive dhe fuqisë punëtore dhe teksa përpiqen të përmirësojnë diversitetin.

Sistemet e automatizuara të krijuara për punësimin e një fuqie punëtore më të larmishme mund të gjejnë kandidatë që përndryshe mund të anashkalohen për shkak të çështjeve shëndetësore, boshllëqeve në punësim ose për shkak se u mungon një diplomë ose janë nga një sfond jo tradicional.

Por megjithëse ChatGPT është një pikënisje e dobishme për një letër motivuese ose për të mësuar historikun e një punëdhënësi të mundshëm, rekrutuesit janë të mendimit se nuk është një zëvendësim për të shkruar vetë një aplikim.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore