Aplikacione

Inteligjenca artificiale mund t’i përkeqësojë kërcënimet kibernetike


Inteligjenca artificiale mund të rrisë rrezikun e sulmeve kibernetike dhe të gërryejë besimin në përmbajtjen në internet deri në vitin 2025.

Të paktën kështu paralajmëron një raport i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Madje, sipas raportit, teknologjia mund të ndihmojë në planifikimin e sulmeve biologjike ose kimike nga terroristët.

Por disa ekspertë kanë vënë në dyshim nëse teknologjia do të evoluojë siç është parashikuar.

Kryeministri britanik Rishi Sunak pritet të nxjerrë në pah mundësitë dhe kërcënimet që vijnë nga teknologjia.

Raporti i qeverisë merr në shqyrtim inteligjencën artificiale gjeneruese – lloji i sistemit që aktualisht fuqizon chatbot-et e njohura dhe software-in për gjenerimin e imazheve.

Ai bazohet pjesërisht në informacione të deklasifikuara nga agjencitë e inteligjencës.

Raporti paralajmëron se deri në vitin 2025 inteligjenca artificiale gjeneruese mund të “përdoret për të mbledhur njohuri mbi sulmet fizike nga aktorët e dhunshëm jo-shtetëror, duke përfshirë armët kimike, biologjike dhe radiologjike”.

Referuar raportit, teksa firmat po punojnë për ta bllokuar këtë, “efektshmëria e këtyre masave mbrojtëse ndryshon”.

Ka pengesa për marrjen e njohurive, lëndëve të para dhe pajisjeve për sulme, por ato barriera po bien – potencialisht të përshpejtuara nga inteligjenca artificiale.

Deri në vitin 2025, ka të ngjarë që inteligjenca artificiale të ndihmojë gjithashtu në krijimin e sulmeve kibernetike “me ritëm më të shpejtë, më efektiv dhe në shkallë më të madhe”.

Joseph Jarnecki, i cili hulumton kërcënimet kibernetike në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, ka thënë se inteligjenca artificiale mund të ndihmojë hakerat, veçanërisht në tejkalimin e vështirësive të tyre në imitimin e gjuhës zyrtare.

“Ka një ton që është adoptuar në gjuhën burokratike dhe kriminelët kibernetikë e kanë gjetur mjaft të vështirë për t’u shfrytëzuar”, ka thënë ai.

Sakaq, raporti vjen përpara një fjalimi të Sunak të enjten, ku ai pritet të përcaktojë se si qeveria e Mbretërisë së Bashkuar synon ta bëjë inteligjencën artificiale të sigurt dhe të vendosë Mbretërinë e Bashkuar si një lider global në sigurinë e inteligjencës artificiale.

“Inteligjenca artificiale do të sjellë njohuri të reja, mundësi të reja për rritje ekonomike, përparime të reja në aftësitë njerëzore dhe mundësinë për të zgjidhur problemet që dikur mendonim përtej nesh. Por gjithashtu sjell rreziqe të reja dhe frikë të reja”, pritet të thotë Sunak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore