Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria gati për Konferencën e dytë Ndërqeveritare

SHFLETO
Brixhilda Xhuraj
21.06.2024 14:45
Loading Icons...

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, mori pjesë në konferencën e Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor me MPJ-të e vendeve të BP-së, organizuar në Austri në datat 20 dhe 21 qershor 2024.

Ministri Hasani nënvizoi se Bashkimi Evropian duhet të mbajë një afat kohor realist dhe të përkushtuar për procesin e anëtarësimit.

“Ne do të kemi zgjerim në zemër të Bashkimit Evropian dhe do ta mirëpresim shumë këtë. Është momenti i duhur që gjërat të bëhen reale me një axhendë ambicioze dhe është koha për të provuar në mënyrat më konkrete, vendosmërinë e të gjithëve për të ecur përpara”, tha ai.

Ministri Hasani theksoi se, Shqipëria e ka treguar vendosmërinë e saj për përshpejtimin e procesit të integrimit, duke treguar progres të vazhdueshëm në ndërmarrjen e reformave.

“Ne në Shqipëri jemi gati të hapim sa më shumë kapituj të mundshëm gjatë këtij viti. Nuk ka kohë për të humbur dhe shpresojmë shumë që pas një muaji të kemi mundësinë të organizojmë konferencën e dytë ndërqeveritare”, u shpreh kryediplomati shqiptar Hasani.

Ministri Hasani u shpreh besimplotë se Grupi i “Miqve të Ballkanit Perëndimor” do të vazhdojë mbështetjen dhe bashkëpunimin e fortë me vendet e rajonit, për të ndihmuar në përmbushjen e të gjitha kritereve dhe finalizimin e integrimit në BE.

Çfarë përfaqëson Konferenca?

Ajo në çfarë ky format, i njohur shkurtimisht si IGC (Inter-Governal Conference), konsiston, është takimi dypalësh mes strukturave të posaçme të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së një vendi kandidat.

Takimet nga radhët e BE-së i drejton përfaqësuesi i vendit që ka Presidencën e unionit në periudhën e përcaktuar kohore kur takimet mbahen.

Në to, ka një qëllim kryesor dhe ai është paraqitja e artikujve dhe kapitujve ligjorë që duhen arritur nga vendi kandidat. Në tërësi, janë rreth 130 mijë faqe material, të grupuar në 35 kapituj.

Vendi anëtar duhet ta sjellë legjislacionin e vet në kushte identike me ato të vetë unionit.

Ky proces i përafrimit ligjor njihet edhe si “aquis” (diçka për të cilën është rënë dakord).

Për secilin kapitull, dy takime formale ndërqeveritare zhvillohen mes vendeve kandidate dhe strukturave të BE-së.

Me plotësimin e kushteve të një kapitulli të caktuar nga vendi që aspiron unionit, kalohet në kapitullin tjetër, e deri në përmbylljen e gjithë procesit.

Gjatë Konferencave Ndërqeveritare, qëllimi i BE-së është të pasqyrojë dhe shpjegojë kuadrin ligjor në të cilin unioni funksionon dhe më pas të japë direktiva për arritjen e këtyre kritereve nga kandidatët.

Një raport publikohet më pas nga Komisioni Evropian për çdo kapitull të diskutuar në konferencë.

Këshilli i Evropës më pas, është ai që vendos ta pranojë apo jo propozimin e ardhur nga raporti i Komisionit. Në bazë unanimiteti, vendoset edhe hapja ose jo e kapitujve nga një vend.