Shqipëria

INSTAT publikon bilancin: Familjet rritën konsumin e energjisë elektrike


Instituti i Statistikave publikoi ditën e sotme bilancin vjetor të energjisë elektrike për vitin 2020.

Pavarësisht një rritjeje prej 2,1% nga viti 2019 në prodhimin neto vendas, energjia elektrike në dispozicion ka pësuar një rënie të lehtë me 0,3%.

Pjesa dërrmuese e prodhimit të energjisë vjen nga hidrocentralet, të ndara mes publikeve dhe privateve, respektivisht në masat 58,2% dhe 41,2%. Pjesa e mbetur prej 0,6% ka ardhur nga prodhues të tjerë të energjisë së rinovueshme.

Rritje ka patur edhe importi i energjisë, që arriti vlerën 3.239 GWh, një rritje me 2,0% nga viti i shkuar.

Po me rritje ka qenë edhe niveli i eksportit bruto, që ka arritur në 963 GWh. Pavarësisht se përbën rritje 25% nga viti 2019, deficiti në shkëmbimin e energjisë mbetet i lartë.

Diferenca mes eksportit dhe importit bruto të energjisë ka qenë për herë të fundit pozitive në vitin 2018. Megjithatë, krahasuar me një vit më parë, 2020-ta ka shënuar një rritje me 5,4% në favor të eksporteve.

Hidrocentralet publike prodhuan 3,7% më shumë energji elektrike se sa një vit më parë. Ndërsa hidrocentralet private dhe koncesionare kanë ulur performancën e tyre në prodhim me 0,6% në 2020.

Një problematikë e hershme e sistemit të shpërndarjes të energjisë elektrike ka të bëjë me humbjet në rrjet. Edhe këtë vit është ruajtur trendi rënës, duke zbritur me 1,3% nga viti 2019.

Në raportin e INSTAT rezulton se humbjet në transmetim kanë kontribuar me rritje prej 2,1% në totalin e humbjeve në rrjet. Megjithatë, pesha e tyre është vetëm 10,6% e totalit.
Humbjet në shpërndarje, që janë edhe zëri kryesor i humbjeve në rrjet, kanë rënë me 1,7% krahasuar me vitin 2019.

Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët pësoi një rritje të lehtë në vitin 2020.

Duket se karantina dhe mbylljet policore kanë shtyrë konsumatorët familjarë të shpenzojnë 7,8% më shumë energji elektrike gjatë vitit 2020 krahasuar me vitin paraardhës.

Ndërkohë, me rënie prej 6,7% ka rezultuar përdorimi nga konsumatorët jo familjarë.

I ndarë në tremujorë, viti 2020 ka patur rritje të prodhimit neto në tremujorët e parë dhe të tretë, dhe rënie në dy të tjerët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore