Shqipëria

INSTAT: Më shumë lindje se fatalitete – në tremujorin e tretë


Numri i lindshmërisë për tremujorin e tretë të vitit 2021, në krahasim me të njëjtën periudhë në raport me vdekshmërinë, është rritur.

Këto janë të dhënat që zbulon publikimi i fundit demografik i Institutit të Statistikave në Shqipëri (INSTAT).

Sipas të dhënave të treguesve demografikë, trendi i lindjeve pësoi një rënie prej 7.5%, krahasuar kjo me tremujorin e tretë të vitit 2020.

Gjatë këtij tremujori janë regjistruar 7 mijë e 404 lindje.

Vetëm një qark i vendit ka shënuar rritje të numrit të lindshmërisë.

Për njëmbëdhjetë qarqet e tjera, ky numër është ulur në krahasim me një vit më parë.

Tirana udhëheq sërish për numër lindjesh, me 2 mijë e 521 lindje.

Ndërsa treguesit demografikë vijojnë përkeqësimin në Gjirokastër, e cila regjistroi vetëm 114 lindje (22 më shumë se tremujori i dytë).

Rritjen më të madhe në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të tretë 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 e zë Qarku i Kukësit, me 2.2%.

Uljen më të madhe në përqindje të lindjeve e mban Qarku i Gjirokastrës, me 24%.

Vdekshmëria

Numri i vdekjeve është ulur me 8.9%, duke regjistruar 6 mijë e 37 fatalitete për tremujorin e tretë të këtij viti.

Shtesa natyrore e popullsisë (diferenca midis lindjeve dhe vdekjeve) në tremujorin e tretë ishte pozitive me 1 mijë e 367.

Vlera më e lartë e fataliteteve është regjistruar në Qarkun e Tiranës, ku numri i vdekjeve tejkalon 1 mijë e 400 (1 mijë e 436).

Në tremujorin e tretë të vitit 2021, tre qarqe të vendit kanë shënuar ulje, ndërsa nëntë qarqet e tjera kanë shënuar rritje të numrit të vdekjeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Numri më i vogël i vdekjeve u regjistrua në Qarkun e Kukësit, me 108 fatalitete.

Uljen më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të tretë 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 e zë Qarku i Dibrës, me 30.6 %.

Rritjen më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të tretë 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 e zë Qarku i Vlorës, me 15.5 %.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore