Shqipëria

INSTAT: Lindshmëria në rënie, por jetëgjatësia në rritje


Lindshmëria në Shqipëri vazhdon të jetë në rënie të lirë, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave në Shqipëri INSTAT, për periudhën 2016-2019.

Në vetëm tre vjet, lindshmëria ka rënë me thuajse një lindje për 1 mijë banorë. Statistikat janë më shqetësuese për vajzat, pasi lindin mesatarisht 1.2 më pak për 1 mijë banorë në tre vitet e fundit. Për djemtë, shifra është 0.8.

Këto të dhëna kanë ndikuar edhe në uljen e grup-moshave të reja në raport me totalin e popullsisë.

Nga 23% e popullsisë në moshën 0-17 vjeç, në tre vjet shifra ka shkuar në 21.2%, duke pësuar rënie të ndjeshme me thuajse dy pikë.

Një situatë e tillë ndodh edhe me grup-moshën 10-19 vjeç, ku rënia është me 1.6 pikë përqindjeje.

Rënien më të theksuar e ka grupimi 10-24 vjeç, me 2.3% në vetëm tre vjet.

Këto të dhëna tregojnë numrin tërësor të grup-moshave të dhëna në krahasim me popullsinë totale. Pra, nëse më parë rinia zinte 23.5% të popullsisë në 2016-ën, në 2019-ën ajo zë 21.2% të popullsisë.

Pavarësisht rënies së lindshmërisë, pritshmëria mbi jetëgjatësinë vijon rritjen, edhe pse graduale. Kjo rritje mesatarisht është me gjysmë viti.

Praktikisht, nëse në vitin 2016, pritshmëria për jetëgjatësi ishte 78.5 vjeç, në vitin 2019 ajo është 79 vjeç. Femrat kanë pritshmëri jetëgjatësie tre vjet më të lartë se meshkujt.

Gratë pritet të jetojnë mesatarisht 80.6 vjeç, ndërsa burrat 77.6 vjeç.

Për çdo 100 femra ndërkaq, lindin 109 meshkuj. Shifra ka shënuar luhatje gjatë viteve, por në mesatare ka qenë pozitive e anuar për nga meshkujt.

Lindshmëria e femrave nën 20 vjeç ka pësuar gjithashtu rënie. Numri i lindjeve te kjo grup-moshë është shumë i ulët në raport me lindjet në tërësi.

Vetëm 5% e lindjeve vijnë nga vajzat nën 20 vjeç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore