Aplikacione

Instagram-i nuk do të rekomandojë më përmbajtje politike


Instagram-i do të ndalojë së rekomanduari në mënyrë “proaktive” përmbajtje politike për përdoruesit nga llogaritë që ata nuk ndjekin.

E njëjta politikë vlen edhe për Threads.

“Ne duam që Instagram dhe Threads të jenë një përvojë e mrekullueshme për të gjithë”, thuhet në njoftimin e platformës.

“Nëse vendosni të ndiqni llogaritë që postojnë përmbajtje politike, ne nuk duam të futemi mes jush dhe postimeve të tyre, por gjithashtu nuk duam të rekomandojmë në mënyrë proaktive përmbajtje politike nga llogaritë që ju nuk i ndiqni”.

Sakaq, të dy aplikacionet do të shtojnë një cilësim për t’i lejuar përdoruesit që ende duan të shohin rekomandime për përmbajtjen politike të zgjedhin ta bëjnë këtë.

Dhe, sipas njoftimit, i njëjti kontroll do të vendoset në Facebook në një datë të mëvonshme.

Instagram e përkufizon përmbajtjen politike si “të lidhur potencialisht me gjëra të tilla si ligjet, zgjedhjet ose temat sociale”.

“Qëllimi ynë është të ruajmë aftësinë e njerëzve që të zgjedhin të ndërveprojnë me përmbajtjen politike, duke respektuar oreksin e çdo personi për të”, shkroi kreu i Instagram-it Adam Mosseri në një postim në Threads.

Kompania mëmë Meta tashmë ka hequr përparësinë e përmbajtjes politike në aplikacionet e saj sociale, përfshirë Facebook.

“Njerëzit na kanë thënë se duan të shohin më pak përmbajtje politike, kështu që ne kemi shpenzuar vitet e fundit duke përmirësuar qasjen tonë në Facebook për të reduktuar sasinë e përmbajtjes politike – përfshirë nga llogaritë e politikanëve – që shihni në Feed, Reels, Watch, Groups”, shpjegon kompania në një postim në faqen e saj.

Sa i përket njoftimit të fundit, Instagram vuri në dukje se llogaritë profesionale në aplikacion mund të kontrollojnë cilësimin e statusit të llogarisë për të parë nëse postimet e tyre janë të pranueshme për t’u rekomanduar – bazuar në faktin nëse kanë postuar kohët e fundit “përmbajtje politike”.

Nëse Instagram ka bllokuar postimet e një llogarie nga rekomandimet, përdoruesit profesionistë mund të modifikojnë ose heqin postimet e fundit për të rifituar përshtatshmërinë ose të kërkojnë një rishikim nëse nuk pajtohen me përcaktimin.

Përdorues të tillë gjithashtu mund të “ndalojnë postimin e këtij lloji të përmbajtjes për një periudhë kohore, në mënyrë që të jenë të pranueshëm për t’u rekomanduar përsëri”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore