Aplikacione

Instagram-i, bekim apo mallkim?


Hapen sytë, rrëmbehet telefoni ndër duar, hapet menjëherë Instagram-i dhe niset rrugëtimi i atyshëm, i përditshëm.

Rutina e shumëkujt apo jo?

Gjithë ky rrugëtim në platformën e fotove dhe videove, i cili është gati-gati i pandalshëm, ka ndikimin e vet në shëndetin mendor të njerëzve.

Ishte denoncuesja e Facebook-ut, Frances Haugen, e cila paralajmëroi se Instagram-i ishte “më i rrezikshëm se format e tjera të mediave sociale”.

Kjo, tregon e përditshmja “BBC”, pasi u zbulua se hulumtimi i vetë kompanisë tregoi se mund të ishte i dëmshëm.

Asokohe, Instagram-i zbuloi se hulumtimi reflektoi “përkushtimin e tij për të kuptuar çështjet komplekse dhe të vështira”.

Dhe teksa politikanët vazhdojnë të shqyrtojnë mediat sociale, “BBC” foli me pesë persona për përvojat e tyre në Instagram.

Ndërtimi i komunitetit

E para është Dani, e cila ka një lidhje dashuri-urrejtje me Instagram-in.

29-vjeçarja nga Uellsi Jugor, siguron jetesën nga platforma dhe ka ndërtuar një komunitet për njerëzit trans që të lidhen në internet.

Mirëpo, e reja është abuzuar për mënyrën se si ajo duket.

“Instagram-i është bekimi dhe mallkimi më i madh i jetës sime”, ka pohuar Dani për “BBC”.

“Kur je një person trans me një llogari që nuk është private, kjo hap rrugën për abuzim, por një pjesë e urrejtjes që kam pasur në internet ka qenë shkatërruese shpirtërore”, ka vijuar ajo.

Gjithashtu ka shtuar se “komentet e urrejtjes ishin të neveritshme. Dikush madje më dërgoi një temë ku njerëzit më kishin fotografuar dhe po më tallnin”.

Edhe denoncuesja Frances Haugen i ka treguar një komiteti të përbashkët të deputetëve dhe Lordëve se Instagram-i ka të bëjë me “krahasimin shoqëror dhe me trupat… me stilin e jetës së njerëzve dhe kjo është ajo që përfundon më keq për fëmijët”.

Dani, e cila ka mposhtur një varësi nga alkooli, ka treguar se mund të vërejë se si mediat sociale mund të krijojnë varësi.

“Kam disa vite që nuk konsumoj alkool, por ndjej se Instagram-i është i keq për njerëzit me personalitet të varur. Është e njëjta ndjenjë, nevoja për të pasur gjithnjë e më shumë”, ka treguar ajo.

Ndërkaq, Nick Clegg, nënkryetar i çështjeve globale në kompaninë mëmë Meta, e ka mbrojtur platformën, duke thënë se “shumica dërrmuese” e vajzave adoleshente kënaqen duke e përdorur atë.

Ai ka theksuar se kompania do të prezantonte mjete për të trajtuar përdorimin e dëmshëm të Instagram-it, duke përfshirë një veçori shtytëse të quajtur “pushim”, që do t’i shtyjë përdoruesit e rinj të shkëputen.

Imazhi trupor

E dyta, Hannah, shpenzon gjashtë deri në 10 orë në ditë në rrjetet sociale, në të cilat ka pasur qasje që adoleshente.

24-vjeçarja posedon një llogari në të gjitha platformat kryesore: Facebook, Instagram, Twitter, Snapchat dhe TikTok.

“Kam këtë zakon vërtet të keq që gjëja e parë që bëj në mëngjes është të kontrolloj të gjitha njoftimet e mia”, ka shpjeguar ajo për “BBC”.

Gjithashtu “është gjëja e fundit që kontrolloj para se të fle. E gjithë dita ime sillet rrotull rrjeteve të mia sociale”.

Ajo ka pohuar se është “padyshim e varur nga TikTok-u”.

Në Instagram, Hannah ndjek influencueset që e bënin të ndihej keq për imazhin e saj të trupit.

“Më bëri të mendoj se trupi im duhej të dukej si trupi i tyre dhe fillova të kisha pritshmëri jorealiste për të qenë një modele e dobët. Kuptova se po dëmtonte vërtet shëndetin tim mendor, kështu që bëra një hap prapa dhe nuk i ndoqa më”, ka thënë ajo.

“E kuptova se jo të gjitha janë modele super të dobëta. Kam filluar të ndjek njerëzit që më ngjasojnë më shumë dhe kjo ka përmirësuar besimin tim për trupin”, ka treguar e reja.

Mjedis toksik

Kurse Scarlett dhe Anisa kanë treguar për “BBC” se janë të vetëdijshme për rreziqet e mediave sociale.

15-vjeçarja Scarlett i përdor të gjitha platformat përveç Facebook-ut, për të cilin nuk mendon se është për njerëzit e moshës së saj.

“Ndjek YouTubers që krijojnë përmbajtje rreth modës, si Emma Chamberlain, të cilën e dua”, ka treguar ajo.

“Por kur shoh dikë me një standard shumë të lartë bukurie është vërtet e vështirë sepse duke e parë më bën të mendoj se duhet të dukem kështu. Më ka bërë të ndihem e pasigurt”, ka shtuar ajo.

Kështu, ka vendosur që mos t’i ndjekë më faqe që paraqesin imazhe të tilla.

Edhe vajza tjetër, Anisa, e cila është gjithashtu 15 vjeçe, i ndryshon llogaritë që ndjek për të shmangur përmbajtjet negative.

“Kam vënë re që llogaritë e disa njerëzve krijojnë një mjedis toksik. Duke qenë se jam adoleshente, e di që duhet të kujdesem për këtë”, ka sqaruar ajo.

“Si myslimane, ndjej sikur kemi një përfaqësim shumë të keq… kështu që nëse shoh atë lloj përmbajtjeje, anuloj ndjekjen”, ka shtuar ajo.

Të dyja kanë treguar se kanë pasur edhe eksperienca të këndshme në rrjetet sociale, veçanërisht kur bëhet fjalë për të realizuar video me miqtë e tyre.

Scarlett ka treguar se ka provuar video me receta gatimi dhe ka mësuar shumë aftësi të reja mbi krijimin e videove në internet.

“Ka gjithashtu llogari me fakte të mahnitshme me këshilla dhe truke, nuk është e gjitha e keqe, megjithëse gjërat negative ndoshta janë më të mëdha se pozitivet”, ka thënë ajo.

Pa llogari  

Jo të gjithë shkollarët e vegjël janë në Instagram.

15-vjeçarja Lea nuk është lejuar ende të krijojë një llogari.

“Kjo është për shkak të të gjitha gjërave negative që janë atje, kështu që i besoj vendimit të mamasë sime”, ka rrëfyer ajo.

“Do të doja shumë të kisha rrjete sociale sepse të gjithë miqtë e mi kanë dhe ndonjëherë ndihem jashtë loje, por e di edhe anën e keqe. Kam dëgjuar shumë histori për miqtë e mi që marrin fotografi të papërshtatshme dhe video të tmerrshme, gjëra që fëmijët e moshës sonë nuk duhet t’i shikojnë”, ka treguar Lea.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore