Gatimi

Insektet mund t’i japin shije mishi ushqimit, njëherazi të ndihmojnë mjedisin


Insektet mund të shiten ngjashëm si mishi.

E gjitha për të ndihmuar në ofrimin e një alternative më miqësore me mjedisin ndaj opsioneve tradicionale të mishit.

Krimbat e miellit janë gatuar me sheqer nga studiuesit, të cilët zbuluan se rezultati është një aromatizues i ngjashëm me mishin që një ditë mund të përdoret në ushqime të përshtatshme si burim proteinash.

Teksa krimbat e miellit janë përdorur kryesisht si ushqime të lehta për kafshët shtëpiake ose si karrem gjatë peshkimit, ato kanë potencial si një burim ushqimi për njerëzit për të ndihmuar në marrjen e shijeve të njohura të mishit.

Dhe këtë, pa ndikime të dëmshme në klimë, si dhe në ndotjen e drejtpërdrejtë të ajrit apo ujit nga rritja e viçit, derrit dhe ushqimeve të tjera me bazë shtazore.

“Insektet janë një burim ushqimor i ushqyeshëm dhe i shëndetshëm me sasi të larta të acideve yndyrore, vitaminave, mineraleve, fibrave dhe proteinave me cilësi të lartë, e cila është si ajo e mishit”, ka thënë studiuesi In Hee Cho.

Sipas tij, shumë konsumatorë pëlqejnë dhe kanë nevojë për proteinat shtazore në dietën e tyre.

“Megjithatë, blegtoria tradicionale prodhon më shumë emetime të gazrave serrë se sa makinat. Nga ana tjetër, bujqësia e insekteve kërkon vetëm një pjesë të tokës, ujit dhe ushqimit në krahasim me blegtorinë tradicionale”, ka shtuar ai.

Insektet e ngrënshme janë “superushqime” që janë shijuar prej kohësh nga komunitetet në Azi, Afrikë dhe Amerikën e Jugut.

Por njerëzit në Evropë dhe Amerikën e Veriut janë përgjithësisht më skeptik për të ngrënë insekte, pavarësisht përpjekjeve të fundit nga disa restorante dhe supermarkete për të ofruar insekte për konsumatorët.

Studiuesit besojnë se përdorimi i krimbave të miellit si aromatizues i ngjashëm me mishin mund të ndihmojë në kapërcimin e këtij hendeku.

Studimi zbuloi se shijet u lëshuan kur krimbat e miellit nxeheshin me sheqerna, me proteinat dhe sheqernat që ndërveprojnë dhe karamelizohen në një sërë shijesh të ngjashme me mishin dhe të shijshme.

Nga studimi doli se proceset e ndryshme të gatimit dhanë rezultate të ndryshme.

Krimbat e miellit në avull dhanë një lloj aromë të ngjashme me misrin e ëmbël, ndërsa versionet e pjekura dhe të skuqura kishin më shumë ngjashmëri me karkalecat.

Për shkencëtarët, shmangia e mishit dhe produkteve të qumështit është mënyra e vetme më e madhe për të reduktuar ndikimin mjedisor në planet, megjithëse ngrënia e mishit mbetet e popullarizuar në perëndim.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore