Financa

Inflacioni në Japoni shënon nivelin e ri të lartë në 41 vite


Në Japoni, norma e inflacionit është rritur në një nivel të ri 41-vjeçar pasi bizneset kalojnë kosto më të larta te klientët e tyre.

Për muajin e kaluar, çmimet bazë të konsumit u rritën me katër për qind nga një vit më parë, dyfishi i nivelit të synuar të Bankës së Japonisë (BOJ).

Çka ushtron presion të mëtejshëm mbi bankën qendrore për të vendosur normat e saj të interesit për të ndihmuar në lehtësimin e rritjes së kostos së jetesës.

Këtë javë, BOJ befasoi investitorët duke njoftuar se do t’i mbante normat afër zeros, pavarësisht kostos në rritje të çdo gjëje, nga ushqimi te karburanti.

“Çmimet e prodhimit janë rritur me një ritëm shumë më të shpejtë se çmimet e konsumit për disa kohë, por tani kompanitë po ia kalojnë këto kosto konsumatorëve”, ka thënë Damian Thong, i cili drejton kërkimin e kapitalit në Japoni në Macquarie Group.

“Ne besojmë se BOJ do t’i japë fund politikës së saj të normës negative të interesit”, ka shtuar ai.

Çmimet e prodhimit janë një masë e inflacionit në nivel të shitjes me shumicë teksa çmimet e konsumit pasqyrojnë se sa janë paguar nga familjet për mallra dhe shërbime.

Sakaq, të dhënat zyrtare tregojnë se inflacioni ka qenë në nivelin më të lartë që nga viti 1981, muaji i nëntë radhë mbi objektivin prej dy për qind të bankës qendrore.

Edhe pas rritjes së çmimeve, Japonia ka ende një nga normat më të ulëta të inflacionit në botë.

Si rezultat, ekonomia e tretë më e madhe në botë ka kundërshtuar trendin e shumë vendeve të tjera që kanë rritur ndjeshëm normat e interesit gjatë vitit të kaluar.

Shumë ekspertë kishin pritur që banka qendrore të fillonte të hiqte gradualisht programin e stimulit ekonomik në një përpjekje për të frenuar rritjen e çmimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore