Financa

Inflacioni dhe ngadalësimi ekonomik i Kinës rreziqe për Azinë, thotë drejtuesja e FMN-së


Kristalina Georgieva, drejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka cilësuar presionet në rritje inflacioniste dhe ngadalësimin ekonomik të Kinës si rreziqe për perspektivën ekonomike të Azisë.

Ajo u ka drejtuar thirrje politikëbërësve që të marrin masat për goditjet e ardhshme.

Masatsugu Asakawa, presidenti i Bankës Aziatike për Zhvillim, u ka thënë politikëbërësve të Azisë që të jenë vigjilentë ndaj shenjave të çdo daljeje të papritur të kapitalit të nxitur nga rritjet e qëndrueshme të normave të interesit të SHBA-ve.

“Tanimë po shohim rrezikun e shtrëngimit agresiv të politikës monetare të SHBA-ve për të luftuar inflacionin, i cili mund të shkaktojë përmbysje të papritura të flukseve të kapitalit ose zhvlerësim të mprehtë të monedhës”, ka vijuar Asakawa.

Kurse Georgieva ka theksuar se ekonomitë që përbëjnë Asociacionin e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) janë një “pikë e ndritshme” në ekonominë globale.

Mirëpo, ka paralajmëruar se perspektiva ishte “jashtëzakonisht” e pasigurt dhe e dominuar nga rreziqe, të tilla si pasojat nga lufta e Rusisë në Ukrainë, shtrëngimi financiar global dhe një ngadalësim i rritjes së Kinës.

“Një sfidë tjetër urgjente globale është inflacioni. Pritet të jetë mesatarisht vetëm katër për qind në Azi këtë vit. Por presionet inflacioniste në rajon po rriten”, ka shtuar Georgieva.

Bllokimet e rrepta të Kinës për COVID-in kanë rënduar në ngadalësimin e rritjes globale duke ulur aktivitetin ekonomik vendas dhe duke ndërprerë zinxhirët e furnizimit për prodhuesit në të gjithë botën.

Pasojat nga ngadalësimi i Kinës kanë qenë veçanërisht të dhimbshme në Azi, ku aktiviteti i fabrikës ra në të gjithë rajonin në nëntor.

Po ashtu disa vende në zhvillim janë detyruar të rrisin normat e interesit për të luftuar daljet e kapitalit të shkaktuara nga rritja e normave të SHBA-ve, me koston e dëmtimit të ekonomive të tyre të brishta.

Guvernatori i Bankës së Japonisë, Haruhiko Kuroda, ka thënë se nuk sheh një rrezik të madh që Azia të përballet me një humbje të papritur të besimit ose një krizë të përtërirë financiare.

“Siç kanë treguar trazirat e fundit të tregut në Mbretërinë e Bashkuar, reagimi i pjesëmarrësve të tregut ndaj vendimeve dhe njoftimeve të politikave mund të ndikojë ndjeshëm në çmimet e aseteve”, ka thënë Kuroda.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore