Lajme

Infektologu Dreshaj për përhapjen e Omicronit në Kosovë: S’ka ndikim ardhja e mërgimtarëve


Infektologu Shemsedin Dreshaj

Varianti i ri i COVID-19, i njohur si Omicron, pritet që shumë shpejt të përhapet edhe në Kosovë. Ndonëse në fundvit pritet ardhja e një numri të mërgimtarëve nga diaspora, “kjo nuk do të thotë se do të ketë ndikim në përhapje më të madhe”.

Kështu është shprehur infektologu, Shemsedin Dreshaj, teksa shtoi se Kosova është ende në pritje të rezultateve nga mostrat që janë dërguar në Gjermani për testim.

“Variant i ri i virusit i quajtur Omicron, praktikisht ka përfshirë një pjesë më të madhe diku rreth 30 shtete e kanë evidentuar në botë. Karakterizohet për një përhapje më të shpejtë sesa varianti paraprak. Është herët që të thuhet se formën klinike që do ta ketë”, është shprehur Dreshaj për Ekonomiaonline.

“Sa i përket masave që Ministria duhet të ndërmarrë mendoj që komisioni i ekspertëve të dalë me rekomandime të reja. Pa marrë parasysh se a vijnë mërgimtarët në Kosovë virusi do të vijë”.

Infektologu Shemsedin Dreshaj

“Të gjitha vendet e rajonit veç kanë filluar mu evidentuar. Mostrat tona kanë shkuar në gjermani për testim dhe ende nuk kemi rezultate”.

Megjithatë, Dreshaj ka deklaruar se spitalet kanë kapacitete për të përballuar fluks të të infektuarve.

“Kapacitet e spitaleve janë të mjaftueshme për të përballuar fluks të njerëzve, dhe do të jemi të gatshëm ashtu siç i kemi përballuar ato valët tjera të virusit në Kosovë edhe këtë valë besoj do ta përballojmë me sukses”, shtoi Dreshaj.

Ndërkaq, deri në fund të muajit dhjetor të këtij viti, Kosova pret që të pranojë rezultatet e para të mostrave të dërguara jashtë vendit, për të parë nëse ato janë pozitive për variantin e ri “Omicron” të Coronavirusit.

Ilustrim

“Ende nuk i kemi pranuar rezultatet e mostrave të fundit. Ende nuk dihet data e saktë, por besoj se deri në fund të muajit, deri më 28-29 dhjetor besoj që kthehen (rezultatet)”, ka thënë Era Pireva, zëdhënëse e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Ajo për REL ka thënë se edhe gjatë 20 dhjetorit do të dërgohen për analizim mostra të reja në Gjermani.

Ndërkaq, Kosova në fillim të dhjetorit dërgoi 72 mostra në një laborator në Gjermani, përmes një programi të Qendrës Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC) për të parë nëse në to ka prani të variantit Omicron.

Kurse, Drejtori i Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës Valbon Krasniqi, ka deklaruar se “Kosova nuk mund t’i shpëtojë variantit Omicron të COVID-19”.

Drejtori i Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi

“Mundësia e paraqitjes së Omicronit në Kosovë normalisht që është evidente dhe është e vështirë të paramendohet se nuk do ketë raste edhe në Kosovë pasi po them që virusi është i njëjtë dhe rrugët e përhapjes janë të njëjta”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore