Lajme

Industria e kriptove përgatitet për pasoja të mëtejshme


Investitorët dhe minatorët e kriptove po përgatiten për dhimbje të mëtejshme, pasi çmimi i Bitcoin ra gjatë fundjavës, duke përkeqësuar krizën që goditi industrinë.

Bitcoin, kriptomonedha më aktive e tregtuar në botë, ra deri në 17 mijë e 628 dollarë të shtunën përpara se të rimëkëmbej.

Investitorët kanë vëzhguar me ankth çmimin e tokenit, nga frika se një rënie nën 20 mijë dollarë mund të shkaktojë likuidime të detyruara të basteve të mëdha.

Bitcoin, i cili vepron si standardi kryesor për tregun më të gjerë të kriptomonedhave, është vënë nën presion të mprehtë në muajt e fundit, pasi bankat qendrore dhe qeveritë kaluan nga një periudhë e zgjatur e normave të ulëta të interesit në një luftë kundër inflacionit në rritje.

Tregjet financiare tradicionale janë tronditur këtë muaj, pasi tregtarët shqetësoheshin se veprimi agresiv mund të ngërthejë rritjen globale apo edhe të shkaktojë një recesion. Java e kaluar ishte më e keqja për aksionet globale që nga ditët më të errëta të pandemisë në mars të vitit 2020.

Bitcoin ka rënë rreth 70 për qind nga niveli i tij më i lartë i të gjitha kohërave prej gati 70 mijë dollarësh nëntorin e kaluar në pak mbi 20 mijë dollarë që nga e diela pasdite.

Ether, tjetër kriptovalutë e tregtuar në mënyrë aktive, ra deri në 900 dollarë gjatë fundjavës, që do të thotë se çmimi i saj ka rënë me katër të pestat që nga kulmi i tij në fund të vitit të kaluar.

Kjo ka kontribuar në një krizë kredie në rritje në industrinë e aseteve digjitale që kërcënon të përfshijë shumë nga aktorët kryesorë të saj.

Analistët presin që këto humbje do të ushtrojnë presion të mëtejshëm mbi bilancet e tregtarëve dhe huadhënësve, sepse shumë përdorues morën hua kundrejt zotërimeve të tyre të aseteve kripto.

Megjithatë, dogecoin, kriptomonedha “shaka”, u rrit pasi Elon Musk, shefi ekzekutiv i prodhuesit të makinave elektrike Tesla, postoi në Twitter mbështetjen e tij të vazhdueshme për tokenin.

Nayib Bukele, presidenti i El Salvadorit dhe një fans i bitcoin, u tha investitorëve të dielën që “të ndalojnë së shikuari grafikun dhe të shijojnë jetën”.

Bukele, i cili udhëhoqi miratimin e bitcoin nga El Salvadori si mjet ligjor vitin e kaluar, ka hedhur poshtë paralajmërimet nga FMN-ja mbi politikën e tij mbështetëse ndaj kriptove.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore