Aplikacione

Indi, Twitter-i emëron oficerin e ankesave


Njësia e medias sociale Twitter në Indi ka caktuar një zyrtar rezident për ankesat, disa ditë pasi caktoi një zyrtar kryesor të pajtueshmërisë. Kjo për të përmbushur rregullat e reja të IT-së në vend, mes tensioneve me qeverinë.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se faqja amerikane e firmës në internet, ka nxjerrë të dielën e 11 korrikut Vinay Prakash si zyrtarin e ri të ankesave së bashku me detajet e tij të kontaktit dhe procedurat për përdoruesit që të raportojnë shkeljet e mundshme të rregullave dhe kushteve të platformës.

Pak ditë më parë, Twitter-i deklaroi para një gjykate indiane se do të caktonte një oficer të përkohshëm të ankesave për të respektuar rregullat e reja. Gjithashtu kishte bërë me dije se planifikonte të kishte një takim përfundimtar për punën në tetë javë.

Lidhur me rregullat e IT-së, të cilat u bënë efektive në fund të muajit majit, kanë për qëllim rregullimin e përmbajtjes në mediat sociale dhe presionin mbi firmat që të veprojnë më shpejt mbi kërkesat ligjore për të hequr postimet dhe për të shpërndarë detaje mbi krijuesit e mesazheve.

Mirëpo, ky vëzhgim i rregullatorëve mbi Twitter-in, së bashku me firmat e tjera si WhatsApp-i dhe Amazon-i, ka grumbulluar tensione midis firmave amerikane të teknologjisë dhe qeverisë së kryeministrit Narendra Modi dhe ka prishur mjedisin e biznesit në një treg kryesor që është në rritje..

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore