Inaugurohet shkolla “16 shtatori” në Pezë, Kushi: Mirënjohje Katarit për solidaritetin dhe kontributin në arsim

SHFLETO
Greta Gjinaj
09.12.2021 17:18
Loading Icons...

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, të enjten e 9 dhjetorit ka inauguruar shkollën e re të rindërtuar në Pezë të Madhe, nga Fondi i Katarit për Zhvillim.

“Ky është edhe misioni ynë, që fëmijëve tu japim jo vetëm njohuri në fusha të caktuara, t’i bëjmë profesionistë në fusha të caktuara, por t’i bëjmë edhe qytetarë të denjë që e duan pronën e përbashkët, qytetarë që japin kontribut për komunitetin”, tha Kushi në fjalën e saj.

Shkolla “16 shtatori” u shemb nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit 2019. Gjatë inaugurimit të saj ishin edhe zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Ambasadori i Katarit në Shqipëri, Ali Bin Hamad Ali- Marri, drejtori i përgjithshëm të Fondit të Katarit për Zhvillim, Khalifa bin Jassem Al-Kuëari dhe deputeti i zonës, Toni Gogu.

Të gjithë falënderuan kontribuuesin kryesor që bëri të mundur rindërtimin e kësaj shkolle.

Dy vite më parë, tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi dëme të parikthyeshme, ku humbën jetën rreth 50 qytetarë dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.

Gjithashtu pati dhe dëme materiale, shumë ndërtesa u shembën, disa të tjera u kthyen në të pabanueshme.