Lajme

Implantet prej silikoni të gjirit shkaktojnë “probleme autoimune”


“Gabim historik mjekësor”.

Kështu e kanë quajtur studiuesit vendimin e vitit 1960 nga komuniteti mjekësor për të lejuar implantet prej silikoni të gjirit për kirurgji estetike.

“Shoqëria mjekësore e konsideroi gabimisht silikonin si një material inert në lidhje me trupin e njeriut dhe sistemin imunitar”, ka konkluduar ekipi i kryesuar nga imunologu Yehuda Shoenfeld dhe biologu molekular Gilad Halpert.

Ndër vite, “janë grumbulluar shumë raporte në lidhje me efektin e dëmshëm të implanteve prej silikoni në shëndetin e njeriut dhe është ngritur një debat i madh në lidhje me sigurinë e tyre”.

Kështu, ekipi intervistoi shumë gra që kishin lodhje të madhe, depresion, dhimbje të përhapura, humbje të kujtesës, sy të thatë dhe gojë të thatë dhe një lloj të rrallë kanceri.

Edhe pse grave iu dhanë medikamente antidepresive dhe antipsikotike, gjendja e tyre nuk përmirësohej. Përkundrazi, shfaqte shenja përkeqësimi.

“Shkencëtarët duhet të punojnë së bashku për të gjetur alternativa ndaj implanteve prej silikoni dhe për të gjetur trajtime për simptoma të rënda të raportuara nga gratë dhe nga pacientë të tjerë me çrregullime të dyshuara të lidhura me disautonominë autoimune”, kanë shtua ata.

Silikoni nuk është një material natyral, por një “polimer i degëzuar që është fabrikuar nga atomet e silicit”.

“Ekspozimi i gjatë i njerëzve ndaj silicit është treguar se shkakton sëmundje autoimune”, në të cilat sistemi imunitar i trupit sulmon indet dhe organet në trup.

Pas shumë ankesave, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) vendosi një moratorium për implantet e silikonit midis viteve 1992 dhe 1996.

“Më vonë, FDA lejoi përdorimin e tyre nëse kompanitë që i shisnin jepnin informacione përkatëse në lidhje me raportet e pacientëve për efektet anësore dhe manifestimet klinike pas implantimeve”, kanë treguar autorët.

Por kompanitë vazhduan të shisnin implantet dhe nuk raportuan informacionin e kërkuar nga FDA.

Prandaj dhe studiuesit kanç kërkuar nga ofruesit e kujdesit shëndetësor, mjekët e familjes, kirurgët plastikë dhe reumatologët që “të jenë më të vetëdijshëm për lidhjen e këtyre implanteve” me problemet e raportuara nga pacientët.

Marrë nga “The Jerusalem Post”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore