Stil

Imazhi i mohuar nga vetëkënaqësia e Photoshop-it


Të jesh një fotograf duket se sot është një “profesion” që mund ta bëjë kushdo.

Përdorimi i smartphone-ve, disa filtrave ekstra dhe përdorimit të programeve të ndryshme përmirësues të fotove, si për shembull Photoshop-i, nga çdonjëri prej nesh “ka krijuar turbullira, mes asaj që është e vërtetë dhe asaj që nuk është”, thonë studiuesit.

Lidhur me kërkesat që vijnë në studion e fotografit Enis Tollumi, profesionisti thotë se nuk kanë diferenca të theksuara.

“Në punën time, kur vjen puna te Photoshop se çfarë duan të ndryshojnë, janë pak a shumë kërkesa të njëjta; linjat trupore dhe ngjyra më të bukura. Kaq”, bën me dije ai.

Përdorimi i Photoshop-it mund të shihet në dy kahe, si punë për dikë dhe “negativitet” për dikë tjetër.

Psikologia Lenida Halilaj, për Albanian Post, thotë se vetëvlerësimi i ulët, problematika lidhur me imazhin e trupit, krijimi i standardeve joreale të bukurisë, humbja e identitetit, ushqyerja e kulturës së perfeksionit, janë “bashkudhëtare” me editimin.

Ndërsa, fotografi shprehet se Photoshop-i, duke qenë se është trend dhe përdoret nga shumica, ka ndikuar dhe punën e tij.

“Si program për editim të ngjyrave unë përdor lightroom. Aty krijoj ngjyrat që dua të arrij. Sa u përket kërkesave për foto, më së shumti janë shtuar kur kam filluar të përdor Photoshop-in”.

Sa e përmirëson dukjen Photoshop?

Sipas studiuesve, Photoshop u jep mundësinë njerëzve të krijojnë pritshmëri joreale për imazhin e trupit dhe stilin e jetës, duke na larguar nga realiteti.

Nga pikëpamja sociale, psikologja Halilaj shpjegon se përdorimi i programeve të tilla është shtuar si pasojë e presionit social, që vjen nga normat e bukurisë, të cilat i përcakton shoqëria, e ndikuar nga trendet e modës apo dhe figura publike.

“Standardet e krijuara nga shoqëria”, thotë ajo, “janë integruar në përditshmërinë e shoqërisë. Fillimisht duke u identifikuar si diçka e huaj, por dalëngadalë pranohet si normë sociale”.

Fotografi i njohur, Enis Tollumi, “servir” për Albanian Post një perceptim ndryshe nga ajo që dëgjojmë.

“Në radhë të parë kur dëgjojmë fjalën Photoshoped, na shkon në mendje se ai imazh është fake, por nuk është ky realiteti”.

Sipas tij, në disa raste Photoshop përdoret vetëm për heqjen e shenjave apo akneve.

Deri diku, bashkohet dhe psikologia.

“Për sa kohë përdorimi nuk është shumë i ekzagjeruar, mund të them se është i pranueshëm”.

Sipas saj, shumë individë mund të ndihen mirë, duke rregulluar elemente minimale në dukjen e tyre, me qëllim arritjen e një fotoje pak më të paraqitshme, pa u ndikuar nga normat sociale.

Kufiri mes reales dhe asaj që duket në rrjete sociale

Por, nuk mbaron “me kaq”, Photoshop “ndryshon” edhe trupin, shpjegon fotografi.

“Implementimi i programit, bëhet për të rregulluar linjat e trupit, por duke i qëndruar origjinalitetit”.

Nga ana tjetër, psikologia shikon shqetësues faktin se kontradikta, që krijohet mes vetes reale të individit dhe asaj të perceptuar, e cila është e transformuar, rrit predispozitën që personi të mos ndihet mirë me paraqitjen.

“Individi nuk vendos një kufi mes reales dhe asaj që duket në rrjete sociale, kur realisht fillon të besojë se ai duket në realitet njësoj si në fotot e rregulluara”.

Siç tregon dhe Halilaj, nëse realizohet nga profesionistë, nuk abuzohet. Tollumi është një prej tyre, ndaj dhe mendimi që ofron është pozitiv.

Për rininë

“Mosha më e ndikuar është ajo që përdor më shumë rrjetet sociale, pasi ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes përdorimit të tyre dhe aksesit që kanë individët në rrjete sociale”.

Kështu e ka ndarë Halilaj përdorimin.

Përpos moshës, ndasi tjetër është dhe gjinia.

Vajzat dhe gratë, për psikologen, janë më të ndikuara nga standardet e bukurisë.

Vetëdeklarim për Photoshop, duhet të aplikohet?

Së fundmi, Norvegjia ka miratuar një ligj, i cili prek editimin e fotove dhe i dikton krijuesit të përmbajtjes që ta tregojë kur në foto është ndërhyrë apo janë shtuar filtra. Kjo në përpjekje për të zgjidhur çështjet e lidhura me imazhin e trupit në shoqëri.

Këtë psikologe Ledina e cilëson shumë të drejtë, pasi një element, që ndikon në vetimazhin e individit është krahasimi social me persona të tjerë.

“Shpeshherë ndjekësit e një modeleje, këngëtareje apo influencer nuk arrijnë dot të perceptojnë se ajo që postojnë të famshmit është rezultat i një grupi që punon për ta nxjerrë një foto në perfeksion”.

Me apo pa editim, është zgjedhja e gjithsecilit. “Imponimi i detyruar”, shkakton plagë sociale.

Duke refuzuar standardet joreale dhe duke mbështetur ato përputhen me vlerat tuaja, ju mund të thoni fjalën tuaj në mbështetjen ose mohimin e imazheve të Photoshop-it në shoqëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore