Film

Ilire Vinca nominohet për të dytën herë në Ligën e Gruas Profesioniste të Teatrit në Amerikë


Aktorja dhe profesoresha universitare, Ilire Vinca, për herë të dytë është bërë pjesë e nominimeve të Ligës së Gruas Profesioniste të Teatrit (League of Proffesional Theater Woman) në New York.

Tema me të cilën Vinca do të paraqitet në programin e këtij viti është “Edukimi Teatror: Arritja përtej skenës”.

Për dallim prej vitit 2017 kur ajo udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të qenë pjesë e këtij evenimenti kulturor, këtë vit ajo do ta prezantoj temën e saj përmes një ligjërate virtuale.

Puna e saj konstante si aktore në teatër e film, dhe si profesoreshë në Fakultetin e Arteve, e vendosë atë në mesin e 18 të nominuarave nga 26 vende të botës, ku Kosova u rreshtua e dyta pas Anglisë.

Përveç Ilire Vincës, të nominuara për këtë çmim teatri janë edhe dy artiste të tjera nga Kosova, Burbuqe Krasniqi dhe Zana Hoxha.

Në një bisedë telefonike për Albanian Post, Vinca, u shpreh e entuziazmuar të jetë pjesë e nominimeve për herë të dytë, por gjithashtu edhe për faktin se kësaj here nuk ishte shqiptarja e vetme e nominuar.

“Ndihem e lumtur dhe e nderuar të jem e nominuar në LPTW, dhe akoma më të gëzuar më bën fakti që kësaj here nuk jam e vetmja që po e përfaqësoj Kosovën, sepse për mua bashkimi përçon pozitivitet dhe rezulton me fuqi.” thotë Ilire Vinca.

Puna e saj ka qenë vazhdimisht në fokusin e panelit të jurisë së LPTW, prandaj përzgjedhja e saj nuk është çështje ditësh apo një temë enkas për programin.

“Tema me të cilën jam nominuar nuk është punim i bërë posaçërisht për ta sepse puna ime është në përcjellje e sipër nga ekipi i këtij programi, të cilët me saktësi arrijnë t’i shohin angazhimet dhe projektet e mija në sferën teatrale, të cilat përmbajnë tematika të ndryshme.” thotë Ilire Vinca për Albanian Post.

Aktorja nga Prishtina, me prejardhje nga Struga, vlerësoi edhe zhvillimin e artit në vend, që sipas saj po e prezanton Kosovën në një mënyrë të denjë.

“Në këtë kohë kur diplomacia ndërkombëtare është një sfidë bukur e vështirë për tu kapërcyer, jam krenare që artistët marrin rolin si diplomatë kulturorë duke vendosur dialogë krijues e arsimor” përfundon ajo.

Ndryshe, kjo ngjarje është krijuar në nderë të dy ikonave të teatrit botërorë Rosamond Gilder dhe Martha Coigney dhe daton që nga viti 1986.

Organizimi bëhet për çdo të tretin vit, ku në nominime futen aktoret më të suksesshme të teatrove në botë.

Përpos Kosovës, të nominuar nga Ballkani janë edhe artistet Avra Sidiropoulou nga Greçia, Andrea Tompa nga Hungaria dhe Dijana Milosevic nga Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore