Lajme

IKSHPK: Virusi është kudo, respektoni masat anti-COVID


Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se dy variantet e Omicron po vazhdojnë të përhapen me pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve dhe me raste fatale, prandaj ka kërkuar nga qytetarët që t’i respektojnë masat anti-COVID.

“Virusi është kudo andaj mos neglizhoni rekomandimet themelore: maska, distanca, higjiena. Shmangni udhëtimet e panevojshme, qëndroni në shtëpi dhe ajrosni ambientet e mbyllura”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik, “andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështërsi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen”.

Ky institucion ka njoftuar se situata epidemiologjike akoma është e rëndë, e javët e fundit me rritje të rasteve në Evropë dhe në botë, andaj IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët që të respektohen masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19 dhe parandalimin e valës së re”.

Sipas IKSHPK-së, Omicron është tejet ngjitës, “andaj mbani maskat në çdo vend”.

“Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithëpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës nga mosha 12 vjeçare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore