Lajme

IKSHPK thirrje qytetarëve që të vaksinohen pas rritjes së rasteve me COVID-19


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur se Kosova po vazhdon të shënojë shtimin e rasteve të reja me COVID-19, ndërsa ju ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen dhe t’i bartin maskat.

“Ju lutemi bartni maskat në ambiente të mbyllura dhe  vaksinohuni. Kosova po vazhdon të shënojë shtim të rasteve të reja të COVID-19 me tendencë të rritjes ditët në vijim. Fatkeqësisht sot është raportuar  një rast i vdekjeve nga kjo sëmundje. Në vende të ndryshme të botës, po regjistrohen raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia COVID-19 nuk ka mbaruar”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Në njoftim është theksuar se edhe në vende të ndryshme të botës janë duke u regjistruar raste të shumta të COVID-19.

Gjithashtu, nga IKSHPK thuhet se janë duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik.

“Me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët këshillohen që vaksinohen, me dozën e parë të dytë dhe të tretë mund të vaksinohen të gjithë personat e moshës mbi 12 vjeç; me dozën e katërt, mund të vaksinohen personat e moshës mbi 60 vjeç, me kusht që të kenë kaluar katër muaj nga marrja e dozës së tretë”, thuhet në njoftim.

Ministria e Shëndetësisë.

Ndër të tjera nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja rekomandojnë qytetarët që përkundër situatës së qetë dhe stabile epidemiologjike në vend, të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse dhe të vaksinohen kundër COVID-19.

Më 13 korrik, ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka raportuar 763 perona të infektuar nga COVID-19 dhe një të vdekur.

Numri i të infektuarve vjen nga dy mijë e 30 testime të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas Ministrisë të Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë 213 persona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore