IKSHPK pas dy vitesh ndërprenë marrjen e mostrave dhe testimin për COVID-19 të dielave

SHFLETO

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK).

 

Altina Marmullaku
04.03.2022 14:31
Loading Icons...

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK), ka bërë të ditur se për shkak të uljes së rasteve me COVID-19, ka ndërprerë marrjen e mostrave dhe testimin COVID si dhe lëshimin e rezultateve të testimit gjatë të dielave.

IKSHPK ka njoftuar se kjo po ndodhë pas dy vitesh përballje me Coronavirus.

“Për shkak përmirësimit të theksuar të gjendjes epidemiologjike me SARS-CoV-2 në Kosovë, përkatësisht uljes së dukshme të rasteve me COVID 19 si dhe uljes të kërkesave për testim për SARS-CoV-2, IKSHPK njofton që pas një periudhe dy vjeçare të punës intenzive, ndërprenë marrjen e mostrave dhe testimin për SARS-CoV-2 si dhe lëshimin e rezultateve të testimit gjatë të dielave”, thuhet në njoftim.

IKSHPK, ka bërë të ditur se qytetarët e Kosovës mund të testohen në IKSHPK për SARS-CoV-2 me RT PCR nga e hëna deri të shtunën gjatë orarit të punës 08:00 – 14:00.

Më 1 mars, Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja kundër COVID-19.

Klinika Infektive.

Ekzekutivi, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se është hequr kufizimi i lëvizjes.

“Është miratuar vendimi për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19. Në bazë të rekomandimeve të dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ministritë e linjës, palët e interesit dhe ekspertët përkatës, në këtë mbledhje u vendos për masat kundër COVID-19”.

Nga masat paraprake, ora policore ka qenë në periudhën kohore 00:00-05:00, ndërsa me uljen e rasteve të reja me COVID-19, kjo masë është parë si e panevojshme.

Ndryshe, më 3 mars, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka raportuar se brenda 24 orëve, janë regjistruar 69 raste pozitive dhe asnjë i vdekur.

Numri i të infektuarve vjen nga 1 mijë e 552 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë 99 persona.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 1 mijë e 567.

Brenda 24 orëve të fundit, në Kosovë janë vaksinuar gjithsej 535 persona.

Ndërkaq, 899 mijë e 844 persona janë vaksinuar me dozën e parë, teksa numri i të vaksinuarve me të dy dozat ka arritur në 816 mijë e 688.