Lajme

IEA: Dimri i ardhshëm do të jetë “testi më i ashpër” për rrjetin energjetik të Ukrainës


Dimri i ardhshëm do të jetë “testi më i ashpër” për rrjetin energjetik të Ukrainës që nga pushtimi i Rusisë, me shumë termocentrale të shkatërruar ose të dëmtuar.

Kështu bëri të ditur Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), raporton gazeta britanike “The Guardian”.

Ndërsa paraqiti një plan 10-pikësh për të mbrojtur sigurinë energjetike të Ukrainës të goditur nga lufta, IEA-ja paralajmëroi gjithashtu për probleme me furnizimin me energji elektrike të Moldavisë fqinje.

Kjo, pasi Ukraina të ndalojë lejimin e tranzitit të gazit rus në fund të vitit 2024, shkruan nga ana tjetër Agence France-Presse (AFP).

“Sistemi energjetik i Ukrainës ia ka dalë të kalojë dy dimrat e fundit … Por ky dimër do të jetë, deri tani, testi i tij më i ashpër”, theksoi drejtori ekzekutiv i IEA-s, Fatih Birol në një njoftim për shtyp që shoqëronte raportin.

Raporti vëren se në vitet 2022 dhe 2023 “rreth gjysma e kapacitetit të prodhimit të energjisë në Ukrainë ishte okupuar nga forcat ruse, u shkatërrua ose u dëmtua, dhe afërsisht gjysma e nënstacioneve të rrjetit të madh u dëmtuan nga raketat dhe dronët”.

Publikimi i IEA-s paralajmëroi po ashtu për një “hendek të zbehtë midis furnizimit me energji elektrike në dispozicion dhe kërkesës maksimale”.

Ai u kërkoi vendeve evropiane të përshpejtojnë dërgesat e pajisjeve dhe pjesëve për të rindërtuar objektet e dëmtuara dhe bëri thirrje për masa mbrojtëse nga dronët.

Ndërsa kërkesa energjetike për ngrohjen e shtëpive rritet në dimër, IEA-ja parashikon që kërkesa maksimale e vendit mund të rritet në gati 19 gigavat.

Raporti rekomandoi gjithashtu rritjen e kapacitetit të importit të energjisë elektrike dhe gazit nga BE-ja, përshpejtimin e decentralizimit të prodhimit të energjisë elektrike dhe investime më të mëdha në efikasitetin e energjisë.

Ai vlerësoi në përmbyllje po ashtu edhe koston e riparimeve dhe përmirësimeve të nevojshme në 30 miliardë dollarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore