ICG: Taktikat e Kosovës në veri mund të gjenerojnë dhunë – BE duhet t’u bëjë presion palëve që të gjejnë alternativa

SHFLETO

Ilustrim

 

Armat Matoshi
01.02.2024 8:27
Loading Icons...

Në bazë të një raporti të publikuar rishtas nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) mbi peisazhin global për vitin 2024, tensionet gjithnjë e më të mprehta midis Kosovës dhe Serbisë janë përfshirë në mesin e dhjetë rasteve që rrezikojnë eskalim në shkallë të gjerë për shkak të një sasie të çështjeve të mbetura pezull në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në raportin e ICG-së konstatohet se Bashkimit Evropian (BE) duhet t’i ndërmarrë katër veprime për të lehtësuar dinaminën e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa argumentohet se rruga më e mirë është një kompromis me të cilin Serbia pranon pavarësinë e Kosovës në këmbim që Kosova t’i japë minoritetit serb vetëqeverisje të konsiderueshme.

Raporti i ICG-së vlerëson ndër të tjera se “taktikat” e Qeverisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe mund të nxisin reagimin e dhunshëm të popullatës, ndërsa më tej thuhet se nëse nuk gjendet një zgjidhje e përshtatshme për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, atëherë palët duhet të angazhohet për të gjetuar alternativa të tjera.

“BE-ja duhet të punojë për të siguruar që të plotësohen nevojat e pakicës serbe, veçanërisht në punësim, kujdes shëndetësor dhe shkollim. Nëse kjo nuk mund të bëhet brenda kornizës për autonomi të pjesshme që ka qenë në diskutim për komunat me shumicë serbe, atëherë BE-ja duhet t’i bëjë presion palëve që të gjejnë lternative për të arritur të njëjtin qëllim”.

ICK konstatoi se prej vitit 2021 kur në pushtet erdhi kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, situata në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit shkoi duke u “nxehur” për shkak të refuzimit për t’i dhënë “autonomi më të madhe” serbëve të Kosovës, derisa pengesë në këtë drejtim mbetet refuzimi i Serbisë për ta njohur sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.

“Refuzimi i Kosovës për t’i dhënë autonomi më të madhe popullatës etnike serbe ka qenë një nga dy çështjet kryesore që mban mosmarrëveshjet me Serbinë. Tjetra është refuzimi i Serbisë për të njohur statusin e Kosovës si shtet i pavarur , e cila është thelbësore për zhbllokimin e anëtarësimit të kësaj të fundit në organizatat ndërkombëtare: BE dhe OKB”, thuhet në raport.

Në listën e ICG-së mbi veprimet që duhet t’i ndërmarrë BE-ja për parandalimin e shpërthimit të dhunës është edhe inkurajimi i Kosovës që të “rifokusojë” policinë në komunat veriore në përmbushjen e nevojave të komunitetit serb. Pra, në vend të “dislokimeve speciale të militarizuara” duhet të përqendrohet në sigurinë kufitare dhe kërkimin e depove të armëve.

BE-ja paralelisht duhet t’i bëjë presion Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht, duke përfshirë forcën paqeruajtëse të udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR) për të mbyllur kufirin ndaj kontrabandës së armëve dhe për të gjetur armët e rënda që u përdorën nga paramilitarët serbë të Kosovës për terrorizmin në Banjë të Zveçanit më 24 shtatorit vitin e kaluar.

Për shumë vëzhgues të huaj e vendorë, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë serbë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte ndër-etnike, tani rreziku i ri-përshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet.