ICG nuk zbulon nga e morën informacionin – që më pas e ndryshuan – se “KFOR-i negocioi për largimin e terroristëve të Radojiçiç-it”

SHFLETO

Ilustrim: Banjë, Zveçan

 

Dreni Himbeqa
30.05.2024 14:19
Loading Icons...

Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) ka refuzuar të tregoj burimin e informacionit përmes së cilit raportuan se Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-it kishte negociuar me terroristët për largimin e tyre nga Kosova më 24 shtator.

“Grupi i Krizave nuk jep informacion për burime specifike përtej asaj që ne përfshijmë në raportet tona”, tha për Albanian Post, Natalia Tuzovskaya zyrtarja e lartë për komunikim në ICG.

ICG më 28 maj ndryshoi raportin e publikuar më 2 prill të këtij viti i titulluar “Veriu i Kosovës: Pohimi i sovranitetit mes besnikërive të ndara”, i cituar në draft-raportin e Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë së Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ku shkruhej se Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, kishte negociuar largimin e një pjese të terroristëve të cilët më 24 shtator kishin organizuar një sulm terrorist në Banjë të Komunës së Zveçanit.

Ky ndryshim, sipas Tuzovskaya-s, erdhi pas një gabimi që kjo organizatë e hetoi pas më shumë se 1 muaji, pikërisht në kohën kur kjo çështje u bë temë në Kosovë.

“Pati një gabim në raportimin tonë dhe ne bëmë ndryshimet që kërkoheshin për saktësinë të cilat tani pasqyrohen në faqen tonë”, shtoi ajo.

Ndryshimi i raportit ka ardhur pasi KFOR-i, të dielën, mohoi pretendimin e ICG-së. Në reagimin e KFOR-it, thuhej se kjo nuk është e vërtetë ngase misioni “në asnjë moment nuk u përfshi në negociatat e supozuara” për arratisje.

Tash në raportin e ndryshuar shkruhet se “grupi u tërhoq në pyjet përreth duke lënë pas armët e tyre të rënda”.