Kosova

ICG: Kosova të bashkëpunojë me KFOR-in për çmilitarizimin e veriut


Ilustrim

Në bazë të një raporti të publikuar rishtas nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) mbi peisazhin e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, autoriteteve kosovare u sugjerohet të bashkëpunojnë me Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) për të “çmilitarizuar” veriun, pra largimin e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga zonat përreth.

“Kosova duhet t’i tërheqë njësitet speciale të policisë prej rajoneve me shumicë serbe dhe duhet t’i dislokojë me masë dhe vetëm në koordinim me paqeruajtësit e KFOR-it, të cilët banorët e veriut i shohin si më të besueshëm, duke marrë parasysh përkushtimin e tyre drejt neutralitetit”, këshilloi ICG.

Raporti i ICG-së vlerësoi se paralelisht me “çmilitarizimin” e veriut, për të rritur ndjesinë e sigurisë shtetërore, forcat paqeruajtëse të KFOR-it duhet t’i ndihmojë Kosovës në kontrollimin e kufirit, të parandalojë kontrabandën e armëve të rënda dhe t’i gjejë armët që janë futur më herët, duke përmendur numrin e madh të armëve që u gjetën pas sulmit të 24 shtatorit atje.

Në hyrje të raportit konsiderohet se ndonëse autoritetet kosovare janë duke e fituar “betejën për verin e rebeluar me shumicë serbe” në terren, shtohet se paralelisht edhe “shpresat” për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë duke u zbehur. Raporti i ICG-së konstatoi se “taktikat” e Kosovës në veri mund të nxisin reagimin e dhunshëm të popullatës serbe.

Serbia udhëzohet të pushojë së mbështeturi aktivitetin e grupeve paramilitare serbe që operojnë në këtë pjesë të Kosovës dhe të ndjekë penalisht terroristë që u përfshinë në sulmin terrorist të vitit të kaluar në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, ku u vra një polic kosovar dhe u plagosën dy të tjerë.

“Në mungesë të një zgjidhjeje politike gjithëpërfshirëse, barra do të jetë mbi Bashkimin Evropian (BE), Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe NATO-n, për të garantuar paqe dhe për të shmangur përshkallëzimin, derisa të arrihen kushtet për një marrëveshje të negociuar”, theksoi organizata që harton analiza të pavarura për zgjidhje dhe menaxhim të konflikteve.

Sa u përket marrëveshjeve të dialogut, në raportin e ICG-së u shqyrtuan dy aspektet më problematike në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Në rastin e Kosovës përmendet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa në anën e Serbisë nënvizohet ofrimi i njohjes defacto mbi pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

ICG: Taktikat e Kosovës në veri mund të gjenerojnë dhunë – BE duhet t’u bëjë presion palëve që të gjejnë alternativa

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore