Sport

Ibrahimovic: Kam ulur pagën për Leao-n, gabon kush mendon që mund të luaj vetëm pesë minuta


Zlatan Ibrahimovic u rikthye në fushë në mbrëmjen e kaluar me ekipin e tij, Milan-in, në ndeshjen kundër Atalanta-s.

Sulmuesi 41-vjeçar mungonte që nga muaji qershor i vitit të kaluar, atëherë kur kuqezinjtë u shpallën kampion.

Ndaj Atalanta-s, Ibra hyri në lojë në minutën e 73-të, derisa pas ndeshjes tha se i mungonte shumë stadiumi i kuqezinjve.

“Më mungonte ‘San Siro’. Tifozët më japin një forcë të jashtëzakonshme dhe adrenalinë. Pa ndihmën e tyre do të ishte shumë e vështirë”, tha fillimisht Ibrahimovic.

“Në muajt e fundit jam ndjerë shumë në vështirësi, doja të ndihmoja me çdo kusht, por nuk mundesha. Jam munduar të ndihmoj në shumë aspekte, nuk kam vuajtur asnjëherë kaq shumë”, shtoi suedezi.

“Tani unë mendoj se jam i gatshëm të luaj për gjithë ndeshjen dhe jo vetëm për pesë minuta. Kush mendon që do të luaj pak, atëherë e ka shumë gabim”, shtoi Ibra.

Në fund, ai çuditi, duke thënë se ka ulur pagën e tij, vetëm që Rafael Leao-s t’i ofrohet një kontratë e kënaqshme (Leao ende nuk e ka rinovuar kontratën, duke pretenduar një pagë më të lartë).

“Leao? Kam ulur rrogën që një pjesë e parave të shkojnë për të”, u shpreh Zlatan Ibrahimovic.

Gjigandi suedez foli edhe për Charles De Ketelaere-n, për të cilin tha se i nevojitet edhe pak kohë që të jetë në gjendje të mirë, derisa shtoi se tek ai sheh ngjashmëri me vetën.

“De Ketelaere më duket sikur unë kur isha i ri. Tek Ajax ky moment më zgjati një vit. Është gjithçka e re për të, ai është në një vend të ri dhe ka gjëra që e ndikojnë në fushë”, shtoi Ibra.

“Kur të zhbllokohet, do të ndizet. Ai është i mirë dhe thjesht duhet të zhbllokohet. Ai duhet të bëjë atë që kërkon trajneri prej tij”, tha mes tjerash Ibrahimovic.

Kujtojmë që me fitoren e mbrëmshme, Milan-i tani ka 47 pikë në vendin e tretë, aq sa ka edhe Inter i vendit të dytë.

Kuqezinjtë e kanë fituar edhe ndeshjen e parë në fazën e 1/8-ve të finales së Ligës së Kampionëve ndaj Tottenham-it me shifrat 1:0, kurse dueli i kthimit në Londër do të zhvillohet më 8 mars.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore