Sport

Ibrahimovic është në mesin e të ftuarve të Suedisë për ndeshjen ndaj Kosovës


Kombëtarja e Suedisë ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjet e muajit tetor në kuadër të kualifikimeve të Kupës së Botës, ku do të përballet me Kosovën dhe Greqinë.

Në listën e futbollistëve të ftuar nga trajneri Janne Andersson, nuk mungon as 40-vjeçari, Zlatan Ibrahimovic, i cili pavarësisht se është i lënduar, prapë u ftua nga përzgjedhësi suedez.

“Unë vendosa ta përfshij atë sepse shpresoj dhe besoj se ai mund të jetë atje dhe të kontribuojë. Ai ka një periudhë lëndimi pas tij, por po përmirësohet gjatë gjithë kohës”, tha Andersson.

Ndeshjen e parë në këto eliminatore Suedia fillimisht do ta zhvillojë me Kosovën më 9 tetor, pastaj do të përballet me Greqinë tre ditë më vonë, ku të dyja takimet i zhvillon në shtëpi.

Suedia aktualisht renditet në vendin e dytë të Grupit B, me nëntë pikë të grumbulluara pas katër ndeshjeve, ndërsa në vendin e parë është Spanja me 13 pikë, por me dy ndeshje më shumë të zhvilluara se suedezët.

Pas tyre, Greqia zë vendin e tretë me gjashtë pikë, Kosova ka katër pikë dhe në fund është Gjeorgjia me vetëm një pikë.

Kujtojmë që ndeshjen e parë të zhvilluar mes Kosovës dhe Suedisë në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, e fituan mysafirët me rezultat 0:3.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore