Sport

Ibrahimovic është afër rekordit historik në Serie A


Zlatan Ibrahimovic është vetëm një hap larg rikthimit në aksion për Milan-in dhe goli i tij i radhës do të ishte një rekord absolut në Serie A.

Sulmuesi 41-vjeçar suedez ka mbetur jashtë fushës pas një operacioni të rëndë në gju të kryer në maj të vitit të kaluar, pasi ekipi i tij u shpall kampion në Serie A.

Pavarësisht mungesës së gjatë, Ibrahimovic ka këmbëngulur se ai nuk po planifikon të tërhiqet ende dhe ka punuar shumë për rikuperimin e tij.

Ibrahimovic u la në stol për dy ndeshjet e fundit radhazi të Milan-it në ligë dhe mund të bëjë paraqitjen e tij të parë këtë sezon në javët e ardhshme.

Siç theksohet nga “La Gazzetta dello Sport”, goli i radhës i Ibrahimovic për Milan-in do të thyente një rekord të Serie A, pasi ai do të bëhej golashënuesi më i vjetër në historinë e ligës.

Ibrahimovic është tashmë i treti në listë, pasi ka shënuar për herë të fundit në moshën 40 vjeç, 3 muaj e 6 ditë.

Rekordi aktual e mban ish-mbrojtësi i Milan-it, Alessandro Costacurta, i cili shënoi në moshën 41 vjeç e 25 ditë.

Veterani suedez aktualisht është 41 vjeç e 146 ditë, që do të thotë se nëse shënon gol në ditët e ardhshme, ai do të bëhet golashënuesi më i vjetër në Serie A.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore