Lajme

Ibrahimi për vendimin që t’u merren pronat komunave: Është arbitrar


Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

Qeveria e Kosovës e kishte shfuqizuar vendimin e ish-Qeverisë Haradinaj, që të rikthejë shtatë prona komunale tek Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, e ka vlerësuar këtë vendim si arbitrar dhe se pushteti nuk i ka ftuar në takim kryetarët e komunave të cilët preken nga ky vendim për të diskutuar rreth kësaj çështje.

“Ky vendim ka qenë i pajustifikuar për kryetarët e komunave. Ky vendim është marrë në mënyrë arbitrare pa konsulta paraprake me kryetarët e komunave, e gjithashtu kryetarët e Komunave menjëherë kanë kontaktuar zyrën e Asociacionit të Komunave të Kosovës ku kanë kërkuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës që në emër të komunave të cilat janë të prekura nga ky vendim të dilet me qëndrim”, ka thënë Ibrahimi për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

Komunat e Kosovës.

Tutje, ai bëri të ditur se nga kryeministri asnjëherë deri tani nuk kanë pasur ftesë.

“Nuk ka asnjë bashkëpunim, po shihet që edhe ky vendim është marrë në mënyre arbitrare gjatë vikendit nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal pa u konsultuar fare me kryetarët e Komunave, mundeni ta merrni me mend që kryeministri Kurti asnjëherë nuk i ka takuar kryetarët e komunave”.

Sipas tij, ka akoma paqartësi se si do të veprohet në ato Komuna të cilat kanë ndërtuar objekte me interes publik, si çerdhe apo shkolla.

“Vendimi për dhënien e këtyre pronave në shfrytëzim nga AKP-ja në nivelin lokal, është marrë në kohën kur kryeministër ka qenë Ramush Haradinaj. Ky vendim është kontestuar nga ish-presidenti Hashim Thaçi i cili e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese në atë kohë kishte marrë qëndrim që ky vendim ka qenë i drejtë dhe që këto prona, kalojnë nën menaxhimin e autoritete lokale të këtyre komunave”.

“Pas atij vendimi komunat kanë shpallur për interes të veçantë dhe në disa komuna kanë ndodhur disa ndërtime për interes publik se këto prona shfrytëzohen vetëm për interes publik, ka komunë ku është ndërtuar çerdhe publike, ke komunë ku është ndërtuar një objekt i një ndërmarrje komunale e cila menaxhohet nga niveli komunal”, shtoi Ibrahimi.

Ibrahimi ka theksuar se komunat janë të shqetësuara edhe për mungesën e pronave dhe se kjo ndikon edhe tërheqjen e investimeve të jashtme.

“Duhet të theksuar që komunat kanë mungesë të jashtëzakonshme të pronave komunale dhe mungesa e jashtëzakonshme e pronave komunale, po i drejton komunat që të kërkojnë ndihmë nga niveli qendror, në këtë rast nga Qeveria e Republikës së Kosovës, kemi biseduar edhe me Agjencinë e Pyjeve ku kemi kërkuar që pronat që janë si djerrina t’i kthehen autoriteteve lokale që t’i shfrytëzojnë për interesa publike”, tha ai.

Më 30 prill, Qeveria e Kosovës ka shfuqizuar vendimet për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimin e pronave të administruara nga AKP te komunat: Gjilan, Ferizaj, Suharekë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore