Sport

Ibra-n nuk e mbajnë nervat për një moment, ai e cilëson të turpshme humbjen ndaj Spanjës


Kombëtarja e Suedisë, u mposht nga ajo e Spanjës, në ndeshjen e fundit kualifikuese të Kupës së Botës.

Pas kësaj humbje, Suedia përfundon kualifikimet në vendin e dytë të Grupit B, me 15 pikë të grumbulluara, derisa Spanja kualifikohet direkt për në Kupën e Botës, si vendi i parë me 19 pikë.

Pas ndeshjes së mbrëmshme, foli ylli i kombëtares suedeze, Zlatan Ibrahimovic, i cili pavarësisht se kishte përballë një kundërshtar si Spanja, tha se humbja ndaj tyre është e turpshme.

“Zhvilluam një ndeshje shumë të mirë. Një gabim e bëmë dhe nga ai pësuam gol. Mendoj se kishim raste më të mira se Spanja. Është turp që e humbëm këtë takim. Ndaj skuadrave si Spanja, një rast i vetëm mund të kthehet në gol”, theksoi Zlatan Ibrahimovic pas ndeshjes.

Suedia në e vendit të dytë, do të kërkojë kualifikimin në Katar përmes fazës play-ff, për të cilën sulmuesi 40 vjeçar e tha me shaka se në ato ndeshje mund të mos jetë aty.

“Të gjithë janë të zhgënjyer, por duhet të jemi pozitivë. Do të shohim se cilën skuadër do të jemi përballë në play-off, ka ende një rrugë të gjatë për të bërë. Nuk e di nëse do të jem ende gjallë deri në ndeshjet e play-off-it”, tha Ibrahimovic.

Gjatë ndeshjes, Ibra bëri një një veprim aspak të mirë, derisa në zonën e Spanjës, pas një goditjeje të lirë, goditi mbrapa shpinës anëtarin e Chelsea-t, Cesar Azpilicueta-n.

Por, ky veprim aspak i mirë nga Zlatan, nuk u vërejt nga gjyqtarët e VAR-it, pasi që me shumë mundësi do të përjashtohej nga loja.

Sa i përket ndeshjes, atë e vendosi sulmuesi Alvaro Morata, i cili shënoi në minutën e 80-të, pas një asistimi të marrë nga Dani Olmo.

Kujtojmë që kombëtarja e Suedisë e kishte një mundësi të artë për të përfunduar e para në grup, por ata humbën ndaj Gjeorgjisë në ndeshjen e parafundit të këtyre eliminatoreve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore