Pajisje

IBM-ja paditet nga Global Foundries


Global Foundries, prodhuesi i gjysmëpërçuesve, ka hedhur në gjyq International Business Machines Corp (IBM), duke i kërkuar një gjykatësi të vendosë se nuk e ka shkelur kontratën me kompaninë amerikane, e cila pretendon se i detyrohet një dëm prej 2.5 miliardë dollarësh.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se kjo vjen, pasi IBM-ja ka akuzuar Global Foundries, e cila është në pronësi të fondit shtetëror Mubadala të Abu Dhabi-t, për dështimin e vazhdimit të prodhimit të gjysmëpërçuesve për IBM-në.

Kjo bëhet e ditur nga regjistrimi i Global Foundries në gjykatën e shtetit në New York.

Në vitin 2014, Global Foundries bleu impiantet gjysmëpërçuese të IBM-së, në momentin kur kompania vendosi të dilte nga biznesi i prodhimit të gjysmëpërçuesve.

Në vitin 2018, ajo hoqi dorë nga ndjekja e teknologjisë së përparuar të krijimit të çipave, për shkak të kostove të larta të zhvillimit dhe në vend të kësaj, IBM-ja iu drejtua Samsung Electronics Co Ltd për të prodhuar gjysmëpërçuesit.

Pas ndryshimeve të 2018-s, IBM-ja “heshti për gati dy vjet e gjysmë” dhe më pas, në muajin prill të këtij viti, i dërgoi Global Foundries-it një letër, me anë të të cilës pretendonte se prodhuesi i çipave kishte shkelur kontratën e tij.

“Përveç kërcënimit të padisë nëse nuk kapitullonte ndaj kërkesave të saj, IBM-ja nuk ka dhënë ende ndonjë shpjegim thelbësor në lidhje me pretendimet e saj”, ka shkruar në padi Global Foundries.

Përmes një deklarate, IBM-ja është shprehur se beson që Global Foundries nuk i përmbushi detyrimet e saj sipas kontratës.

“IBM-ja kontribuoi 1.5 miliardë dollarë në Global Foundries për të furnizuar gjeneratën e ardhshme të gjysmëpërçuesve dhe Global Foundries e braktisi plotësisht IBM-në aq shpejt sa u mor pagesa përfundimtare dhe shiti asete nga marrëveshja për pasurimin e vet”,  ka deklaruar IBM-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore