Pajisje

IBM-ja, çip me madhësi 2 nanometër


Kompania kompjuterike, IBM, ka deklaruar se ka arritur një përparim të rëndësishëm te procesorët kompjuterikë duke krijuar në laboratorin e saj të provës një çip prej dy nanometra.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se procesi i përdorur për të krijuar çipa kompjuterikë matet me nanometra, një numër më i ulët se zakonisht, çka tregon një hap përpara.

Në pretendimet e kompanisë, çipi i saj i provës mund të përmirësojë performancën me 45 për qind ndaj produkteve aktuale prej shtatë nanometrash që janë të disponueshme deri më tani në treg.

Efikasiteti i çipit sipas IBM-së është edhe te energjia pasi përdor 75 për qind më pak energji për të përputhur performancën aktuale.

Sipas kompanisë, pretendohet gjithashtu se teknologjia mund të “katërfishojë” jetëgjatësinë e baterisë se telefonit celular dhe kjo do të bëjë që telefonat të kenë nevojë të karikohen vetëm çdo katër ditë.

Lidhur me termin nanometër, më parë ai përdorej nga industria e çipave kompjuterikë si matës i madhësisë fizike të transistorëve, por aktualisht konsiderohet si një term marketingu që përshkruan gjeneratat e reja të teknologjisë që çojnë në performancë më të mirë dhe fuqi më të ulët.

Në vitin 2017, IBM-ja prezantoi përparimin e saj prej pesë nonametrash, i cili mundte të mbushë 30 miliardë transistorë ndërsa dy nanometërshi i ri arrin të mbushë 50 miliardë të tillë.

Pritet që rezultati përfundimtar të jetë një tjetër përplasje e performancës për kompjuterët e viteve të ardhshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore