Kosova

I vrari në Serbi është Faton Hajrizi – nisin procedurat për tërheqjen e kufomës


Faton Hajrizi

Personi i vrarë në Lloznicë të Serbisë më 19 korrik është Faton Hajrizi, i cili dyshohet se një ditë më herët kishte vrarë një polic serb dhe pati plagosur një tjetër.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post, avokati Arianit Koci, i cili ka thënë se konfirmimi është bërë pas analizimit të materialit të marrë nga strishoja e nënës së Fatonit.

“Jam në procesin e përfundimit të procedurave për tërheqjen e kufomës”, tha Koci, avokat i autorizuar nga familja Hajrizi.

Hajrizi qe arratisur nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik. Ndërsa nga Policia e Kosovës, janë arrestuar dy persona si të dyshuar se ndihmuan Hajrizin të arratisej.

Hajrizi u dënua fillimisht për vrasjen e një ushtari rus kur ishte 15 vjeç, dhe gjithashtu për disa vepra të tjera penale.

Ai u dënua për një rast të tentim-vrasje, tri raste të vjedhjeve kryesisht të pjesëve të veturave dhe dy raste të keqpërdorimit të veturave (shfrytëzim pa leje të tyre).

Më 24 janar të 2008-së, vendimi i dytë gjyqësorë për Faton Hajrizin ishte marrë nga Gjykata e atëhershme e Qakut në Mitrovicë.

Ai u dënua për dy vepra të grabitjes së armatosur që sipas gjykatës i bëri në bashkëpunim me dikë tjetër në vitin 2006 në Skenderaj.

Ndërsa në vitin 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Hajrizin për vrasjen në tentativë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore