Lajme

I vihet flaka monumentit kulturor në Mitrovicë, dyshohet se ishte zjarrvënje e qëllimshme – ministria akoma pa reagim


Pamje e djegies se shtepise 300 vjecare ne Mitrovice

Një ditë para se të fillonte renovimi i shtëpisë më të vjetër në qytetin e Mitrovicës – e gjendur në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje – e njëjta është përfshirë nga zjarri, teksa një veprim i tillë po konsiderohet si i qëllimshëm.

Për këtë rast, deri më tani, nuk ka reaguar Ministria e Kulturës.

Shtëpia e familjes Koroglu, që gjendet në qendër të qytetit të Mitrovicës, daton qysh nga gjysma e parë e shekullit XIX, dhe i përkiste arkitekturës osmane.

Shtepia para djegies

Nexhmedin Spahiu, profesor nga Mitrovica, në një prononcim për Albanian Post, i pyetur për këtë çështje, ka dyshimet e tij se kjo ka qenë një zjarrëvenje e qëllimshme, sepse, siç tha ai, për të “vazhduar me ndërtime të larta” në atë pjesë.

Siç shpjegon Spahiu, duke cituar ligjin, “nuk mund të ndërtohet asgjë 50 metra rreth monumenteve kulturore”, prandaj ai hedh akuzat e tij se për të arritur qëllimet e tyre, pra ndërtimet, është bërë një marrëveshje për djegien e kësaj shtëpisë.

“Edhe drejtori i urbanizmit, meqenëse ka dhënë një leje të tillë, për një objekt tjetër kulturor, i është ngritur aktakuza nga gjykata. Si duket kanë bërë ndonjë marrëveshje me pronarët apo me dikënd tjetër komuna, dhe e kanë djegur për të ndërtuar pallate”, thekson Spahiu për AP.

Ndërsa, aktin e djegies e quan “barabar”, pasi që pohon se “nuk është që kemi shumë objekte të tilla”.

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

“Ne nuk kemi shtëpi 600 vjeçare”.

Përveç kësaj, profesori nga Mitrovica, përmend edhe një rast tjetër që ka ndodhur në këtë komunë para disa ditësh.

Ai i referohet prerjes së një druri mbi 300 vjeçar nga Komuna e Mitrovicës për të ndërtuar një rrugë.

“Është edhe më tragjike fakti që para disa ditës është prerë druri më i vjetër në qytet, mbi 300 vjeçar, pa arsye, vetëm e vetëm që të hapet kinse një rrugë. Por, ka pasur mundësi që të hapet rruga, dhe druri të mbetej oazë, pra të mos prehej”, shton.

Për rrënimin e shtëpisë 300 vjeçare në Mitrovicë kishte pasur dy tentativa vetëm gjatë korrikut dhe gushtit të këtij viti, madje një person ishte arrestuar për këtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore