Kosova

Ministri i ri i Mbrojtjes: Pas 25 vitesh me uniformë, kam nisur një kapitull të ri


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe ish-ministri Armend Mehaj.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i emëruar në këtë pozitë të martën është shprehur i lumtur për marrjen e udhëheqjes së kësaj detyre, duke e vlerësuar lart “besimin dhe mbështetjen” që i është dhënë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Maqedonci, ka treguar për angazhimin e tij në fushën e mbrojtjes së vendit që nga 1998, në atë kohë kur kishte veshur uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Jam i nderuar dhe i privilegjuar të vihem në krye të dikasterit qeveritar që i bën politikat e mbrojtjes dhe të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, trashëgimtares së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që nga 18 marsi i vitit 1998 kur e kam veshur uniformën e UÇK-së dhe deri më 10 korrik 2023 kur jam demobilizuar nga FSK-ja, jam përpjekur me tërë kapacitetet dhe qenien time fillimisht për lirinë e Kosovës dhe deri sot për ndërtimin e ushtrisë së saj”.

Ai e ka cilësuar ministrin e Mbrojtjes si “shtëpinë e tij”, teksa e ka falënderuar ish-ministrin Armend Mehaj, për angazhimin e tij dhe bashkëpunimin gjatë udhëheqjes së ministrisë.

“Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës jam në shtëpinë time, andaj ishte aq i natyrshëm pranim dorëzimi i detyrës sot në mesditë nga ish-Ministri Armend Mehaj në prani të Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jasharit. E falënderoj ish-Ministrin Mehaj për bashkëpunimin veçanërisht në periudhën e fundit”.

Për Maqedoncin, nga e marta e 8 gushtit nis një kapitull i ri, por me synime të njëjta.

“Pas 25 vitesh me uniformë, nga sot ka nisur një kapitull i ri për mua si ushtarak, por që mbetet brenda të njëjtës shtëpi dhe me të njëjtat synime: forcimin e vazhdueshëm të ushtrisë së Kosovës dhe anëtarësimin e shtetit tonë në NATO, krah partnerëve tanë dhe veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Kush është Ministri i ri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci?

Ejup Maqedonci, i njohur me nofkën e luftës komandant Uki, më 5,6, dhe 7 mars të 1998 pas migrimit të tij në Zvicër ku kishte jetuar për dy vjet ishte kthyer në Shqipëri, ku pas stërvitjeve ushtarake kishte hyrë në Kosovë si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Maqedonci ka qenë komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 153 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Zonën Operative të Llapit. Pas luftës, në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, Ejup Maqedonci ka komanduar për dhjetë vite (1999 – 2009) Batalionin e Kërkim Shpëtimit.

Ai ka qenë komandant i dy operacioneve të para jashtë vendit të FSK-së, të kryera në janar dhe në dhjetor të vitit 2010, në ndihmë zonave të përmbytura të Shkodrës, pas të cilave është dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë atë kohë, Bamir Topi.

Nga viti 2014 deri më 2018, Maqedonci ka qenë Shef i Shtabit të Brigadës së Reagimit të Shpejtë.

Ai ka përfunduar studimet në dy kolegje ushtarake në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Teksa mban titujt “Master i Shkencave dhe i Arteve” nga Kolegji i Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (2012 – 2013) dhe titullin “Master i Studimeve Strategjike” fituar nga Kolegji i Luftës në Pensilvani më 2018 – 2019, ku kishte diplomuar si “Superior Gratuated”.

Pas kthimit në Kosovë nga ShBA-ja në vitin 2019, ai është graduar me gradën kolonel dhe nga ajo kohë e deri në fillim të vitit 2023, Kolonel Ejup Maqedonci ka qenë Shef i Departamentit të Operacioneve dhe Trajnimit në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Njëkohësisht nga ky pozicion, ai ka shërbyer si oficer këshilltar për Mbrojtje dhe Siguri i Kryeministrit të Kosovës (2021 – 2023).

Ministri Ejup Maqedonci është Qytetar Nderi i Qytetit të Leavenëorthit në Amerikë.

Ai ka kryer dhjetëra trajnime ushtarake brenda dhe jashtë vendit si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Britani të Madhe, në Gjermani, në Japoni etj. Maqedonci ka shërbyer 25 vite në ushtrinë e Kosovës prej të cilës është demobilizuar më 10 korrik 2023, duke qenë në gradën e kolonelit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore