I dyshuari për “Përgatitje të veprave terroriste” që nga viti 2016 dorëzohet në Polici

SHFLETO

Foto: Albanian Post

 

Altina Marmullaku
17.09.2024 10:07
Loading Icons...

Një person është vetë-dorëzuar në Prishtinë si i dyshuar për veprën “Përgatitje e veprave terroriste” dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, teksa i njëjti po kërkohej nga viti 2016.

“Në lidhje me rastin, më 16.09.2024 është vetë-dorëzuar në polici i dyshuari mashkull  kosovar, ndaj të cilit  ishte lëshuar urdhër arrest nga gjykata. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Ndërsa tri raste në raport janë iniciuar si dhunë në familje, dy raste janë raportuar se kanë ndodhur në Pejë.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull  kosovar  pasi i njëjti kishte sulmuar fizikisht djalin e tij. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt”, thuhet për rastin e parë.

“Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje, bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë ndaj saj. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, është thënë për rastin e dytë.

Kurse, rasti i tretë ka ndodhur në Ferizaj teksa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

“Viktima  femër kosovare ka raportuar se bashkëshorti i saj i – nën ndikim të alkoolit,  pas një mosmarrëveshje  ka filluar ta godas derën e  dhomës”.

Po ashtu, një zjarrëvënie ka ndodhur në Çagllavicë, ku janë djegur dy vetura.

“Viktima mashkull  kosovar  ka raportuar se në parkingun e auto sallonit të tij, i cili ndodhet në rrugën magjistrale Prishtinë-Ferizaj në Çagllavicë  nga zjarri janë djegur dy vetura. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe zjarrfikësit të cilët e kanë shuar zjarri”.

“Pas shikimit të kamerave të sigurisë është vërejtur se zjarrin e kanë shkaktuar – kanë djegur veturat dy persona të panjohur të cilët kishin shkuar aty me një veturë të panjohur. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, rasti është duke u hetuar”.

Gjithashtu, një person është arrestuar në Prishtinë për “Armëmbajtje pa leje”, në raport thuhet se të njëjtit i është konfiskuar një pistoletë.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull  kosovar  pasi për të njëjtin është pranuar informata se kishte në posedim një armë zjarri. Nga i dyshuari është konfiskuar një pistoletë”.

Një person tjetër është arrestuar po ashtu në Prishtinë, për veprën “Shantazh”.

“Më 16.09.2024 është identifikuar dhe arrestuar e dyshuara femër  kosovare pasi e njëjta kishte shantazhuar viktimën mashkull  kosovar  se do ‘ti publikonte disa foto të tij.  Përmes shantazhit e dyshuara ka arrit që të marr nga viktima një shumë të madhe parash”.

Me vendim të prokurorit është thënë se e dyshuara është dërguar në mbajtje.