Lajme

Hyseni: Pasojat e refuzimit të planit franko-gjerman janë të pallogaritshme


Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, ka thënë se e hëna e 27 shkurtit, dita kur do të ta kohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel, “është dita kur ka shumë shqetësime e paqartësi dhe kur ngritën shumë pyetje”.

“Para se të flitet për cilësinë e propozimit evropian, kujtoj se diskursin politik sot duhet ta mbizotërojë pyetja: Cila është alternativa në rast se Kurti refuzon këtë propozim? Pastaj, pse dhe çka e solli situatën kur Kosova detyrohet që në vend që të fliste për njohje të ndërsjellë, de jure, e ka katandisur veten në pozicionin e riparimit të dëmeve, përkatësisht ndaljen e katandisjes së mëtejme”, shkroi ai në Faceook.

Sipas tij, “fajtor pse ndodhemi para kësaj dileme duhet ta kërkojmë te politikat e pamatura, egocentrike, aventureske e fëmirore të Kurtit e Osmanit”.

“Pra, jemi ku jemi! Nuk duhet humbur rasti që me 27 shkurt Kurti të pajtohet me propozimin evropian e që ashiqare ka edhe përkrahjen e plotë të Administratës Amerikane. Nuk është zgjidhje perfekte por është një zgjidhje e ndërmjetme, hap i madh drejt edhe njohjes reciproke e cila doemos do ndodhë pas një kohe. Pranimi e ndërprenë katandisjen e mëtejme të vendit. E pasojat e refuzimit janë të pallogaritshme”.

“Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, me qasjen e tyre egocentrike e aventureske në dialog me Serbinë e ka dëmtuar dhe minuar keq pozicionin e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare, sidomos me administratën amerikane, ndërsa ka forcuar pozicionin e Serbisë, duke e forcuar atë në relacionet ndërkombëtare si kurrë më parë”.

Ai ka shtuar se si pasojë e politikave katastrofale të “binomit Kurti-Osmani”, Kosova është para dilemës së madhe, të pranojë planin evropian dhe gjithë pakon që shkon me të, dhe kështu “ta ndërpres katandisjen e vendit edhe më keq, apo ta refuzojë atë plan dhe ta rrezikojë vet qenien e vendit”

“Në politikë nuk ka riprovime. Kosova me këtë udhëheqje, ka humbur rastin ideal që të forcojë pozicionin e saj negociues dhe partenteritenin me SHBA=të dhe BE-në. Kosova po e paguan koston e revolucionarëve Kurti e Osmani”.

“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mbetet kyç për stabilitetin e rajonit dhe evitimin e konflikteve që i do dhe mbetet synim i fortë i Federatës Ruse. Në të njëjtën kohë, plani evropian, i mbështetur edhe nga Administrata Amerikane, do të hapë dyert për integrimin politik dhe ekonomik të Kosovës në BE. Pranimi dhe zbatimi i këtij plani do të krijojë një para-dispozitë thelbësore për stabilitet në të gjithë Ballkanin Perëndimor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore