Lajme

Hyseni: 120 profesionistë shëndetësorë e kanë lëshuar Kosovën, MSH-ja e paaftë


Sipas anëtarit të kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Hysenit, 120 profesionistë shëndetësorë e kanë lëshuar Kosovën, pasi ai konsideron që profesionistët shëndetësore po trajtohen me lëmoshë.

“Paaftësia qeverisëse po i lë qytetarët pa shërbime shëndetësore, profesionistët shëndetësore po i trajton me lëmoshë gjersa investimet kapitale në këtë fushë janë realizuar vetëm 5 për qind. Janë diku 120 profesionistë shëndetësorë që e kanë lëshuar vendin, në mesin e tyre i kemi edhe 40 specializantë ”, tha Hyseni gjatë një konferencë për media të dielën.

Madje sipas tij, Kosova po përballet me një “pandemi të re”, për shkak të paaftësisë së Ministrisë së Shëndetësisë.

“Është kjo qeverisje që nuk ua vazhdoi kontratat mbi 1000 profesionistëve shëndetësorë, që i kishin shtyllë të shërbimeve shëndetësore gjatë pandemisë”, shtoi ai.

Pos mungesës së mjekëve, Hyseni ka theksuar se ka edhe mungesë të madhe të barnave esenciale në vend.

“Kemi buxhet për ilaçe, ka mungesë të ilaçeve. Kemi buxhet për investime kapitale, ato nuk janë realizuar, vetëm 5 për qind në gjashtë mujorin e parë, ju bëjmë thirrje që këtyre probleme t’u japin përgjigje”, është shprehur ai.

Por, nuk po ikin vetëm mjekët. Edhe infermierët po e lënë Kosovën. Sipas Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, 400 infermierë janë larguar gjatë vitit 2021 dhe 900 të tjerë pritet të largohen sivjet.

Ministri Latifi, në konferencën e tij të parë, pas emërimit si njeriu përgjegjës për shëndetësinë kosovare, kishte deklaruar se akoma ishte duke e konceptuar dhe në atë moment nuk kishte strategji se si do ta zgjidhte këtë problem, me të cilin përballet shoqëria kosovare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore