Sport

Hysaj: Të përqendrohemi te Andorra


Futbollisti i kombëtares së Shqipërisë, Elsejd Hysaj, ishte në krah të trajnerit Edoardo Reja, në konferencën për media, para ndeshjes ndaj Andorrës.

Kapiteni i kuqezinjve theksoi se nuk do të jetë e lehtë në këtë ndeshje që kombëtarja të vijë me moral të lartë, pas asaj humbjes së thellë ndaj Anglisë.

“Ishte një humbje e thellë dhe na ka ulur pak motivimin, por këto ditë kemi qëndruar të bashkuar, është një humbje që duhet harruar, kemi dhe një ndeshje tjetër dhe do të kërkojmë maksimumin për t’i mbyllur në mënyrën më të mirë këto eliminatore”, theksoi Hysaj në konferencën për media.

Tutje futbollisti i Lazio-s, komentoi edhe humbjen ndaj Anglisë, i cili theksoi se përballeshin me një kundërshtar të vështirë.

“Ishte një humbje vërtetë e rëndë por nuk duhet të harrojmë që luajtëm ndaj Anglisë, një kundërshtari që ka në përbërje lojtarë të kalibrit të lartë botëror, gjithsesi kjo humbje do të na shërbejë si një mësim për t’u ringritur”, shoti Hysaj.

Në fund, kapiteni kuqezi paralajmëroi shokët e skuadrës të mos e marrin lehtë Andorrën, që sipas tij është një ekip që ka ditur të na hapë probleme në të kaluarën.

“Historia na thotë që Andorra është një ekip që bezdis të gjitha skuadrat dhe nuk është e lehtë të përballesh. Por ne gjatë këtyre viteve jemi rritur, jemi përmirësuar, jemi një skuadër më e fortë se më parë”, theksoi kapiteni kuqezi.

“E dimë që Andorra është një ekip i rrezikshëm, por ne do të hymë në fushë për të fituar. Vendi i tretë është një pozicion i mirë për ne, e kemi vendosur disi në rrezik por gjithsesi besojmë që do ta mbyllim grupin me 18 pikë. E kemi vlerësuar maksimalisht Andorrën dhe do të kërkojmë 3 pikët në këtë sfidë”, përfundoi Hysaj.

Kujtojmë që ndeshja Shqipëri – Andorrë do të zhvillohet të hënën me fillim nga ora 20:45, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Për kuqezinjtë kjo ndeshje do të jetë e rëndësishme, pasi që në rast të fitores, do të përfundonin në vendin e tretë në grup, pasi që tashmë siç dihet, nuk ka më gjasa për të përfunduar në vendin e dytë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore